Nuk ekziston asnjë ligj lufte mes Greqisë dhe Shqipërisë, deklaron ish-ministri i Jashtëm Tritan Shehu në studion e A2 CNN. Sipas tij, ky ligj është nul që kur është firmosur traktati i miqësisë mes Greqisë e Shqipërisë në vitin ’96. Shehu thekson se nëse një ligj i tillë ekziston në sirtarët e Athinës dhe i takon Greqisë ta djegë.

“Mos u merrni me ligjin e luftës, nuk ekziston ligj lufte me Greqinë. Ekziston një traktat miqësie që ka ezauruar të gjithë elementët që bien në kundërshtim me të. Nëse në sirtarët e Athinës ekziston një ligj i tillë i takon Athinës ta djegë, ne nuk kemi asnjë ligj lufte me Greqinë”, shprehet Shehu ndërsa shton se është kryeministri Edi Rama ai që kërkon t’i japë vlerë këtij ligji për të marrë dekorata. Sipas tij, nëse do të ekzistonte një ligj i tillë nuk do të vinte minsitri i Jashtëm grek në Shqipëri.

“Nuk i jap rëndësi, nuk ka ligj lufte mes Greqisë dhe Shqipërisë. Kryeministri shqiptar që do të marrë dekorata i jep vlerë më shumë se ç’duhet. Nuk kemi pse ta konsiderojmë fitore. I takon Greqisë ta djegë. Ai ligj është nul që nga traktati i ‘96 i miqësisë mes Greqisë e Shqipërisë. Po të kishim ligj lufte nuk do të vinte ministri Dendias në Shqipëri”, deklaroi Shehu.

Shehu thekson se traktati i miqësisë i viti ’96 i jep zgjidhje edhe çështjes çame dhe të pronave, ndërsa akuzon kryeministrin se gjatë këtyre viteve qeverisje shkatërroi marrëdhëniet me vendin fqinj, duke sjellë pasoja të mëdha për vendin.

“Çështja e pronave nuk zgjidhet duke shkatërruar marrëdhëniet me Greqinë. Shkatërrimi që i bëri Rama marrëdhënieve me Greqinë ka pasoja të mëdha jo vetëm në mungesën e investimeve, por edhe në zgjidhjen e çështjes së pronave. Këto çështje nuk zgjidhen duke bërë rolin e cubit. Greqia nuk është bërë asnjëherë pengesë, por duhet politikë dinjitoze prej nesh, të mos kalojë nga roli i cubit në atë të kapitullantit”, tha Shehu.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu