Nga Tritan Shehu-ish-minister i shendetesise

Dëgjoj përsëri se kanë arrestuar X ose Y person për sjellje kontrabandë medikamentesh. Absolutisht akte të dënueshme këto, të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve, sepse të tilla medikamente janë edhe të pa garantuara!

Por në qoftë se do ta analizojmë në thelb këtë çështje, do të konstatojmë se shteti është shkaktari kryesor i shkatërrimit të sigurisë medikamentoze, dëmtimit të shëndetit e financave të qytetarëve, kontrabandës së tyre me:

ndryshimet ligjore të vitit 2014, kur qëllimisht iu hap rrugë importit të medikamenteve të paçertifikuara nga EMA, pra me origjinë të pasigurt;

me ndryshimet kamufluese të realizuara edhe së fundi për lëndët e para, kur maxhoranca rrëzoi amendamentet e paraqitura që obligonin certifikimin EMA;

me lënien e prodhimit dhe tregut vendas jashtë standarteve GMP, GDP e GFP të EMA, gjë që dëmton sigurinë tonë medikamentoze;

me mbushjen si pasojë të tregut farmaceutik, veçanërisht të zgjedhjeve të rimbursuara, me medikamente të origjinës së pasigurt;

duke dëmtuar shëndetin e qytetarëve dhe detyruar ata të paguajnë nga xhepi për medikamente të sigurta, jashtë skemës së rimbursimit;

duke krijuar një konfuzion të plotë në tregun tonë farmaceutik, që shërben edhe si mjegullnajë për të fshehur veprimtaritë korruptive e keqbërëse.

Të gjitha këto krijojnë hapësira për kontrabandën e medikamenteve, si nevojë e qytetarëve për medikamente të sigurta.

Pra, shkaku i vërtetë stimulues janë politikat farmaceutike të bazuara vetëm në interesa të errëta, klienteliste e jo mbi atë që duhet bërë, gjë që realisht është e thjeshtë, po e realizon edhe Kosova: Duhet të vendosim domosdoshmërinë e çertifikimit EMA për të gjitha importet; duhet të arrijmë implementimin e standardeve EMA në prodhimin vendas e tregun tonë në përgjithësi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu