Nga Moisi Dalipi  –  Sulmuesi njohur gjirokastrit Sefendin Braho, edhe pse ka disa muaj që ka lënë pas 66 vjetët e moshës, përsëri në portretin e tij fizik dallon qartë shenjat dhe vetitë e një njeriu që në vitet e rinisë tij është ushtruar fort me sportin. Dhe këtë konstatim ta forcon dhe më Moisiu në shumë biseda që zhvillon me të. Gjithsesi në asnjë rast Sefja (siç e thërrasin të gjithë) nuk e sjell bisedën tek ato vite kur ai dhe shokët e vet luanin futboll dhe dhuronin spektakël në fushën e lojës. “Këtë kampionat Luftëtari ynë nuk e ka nisur mirë. Do ta kemi të vështirë të sigurojmë mbijetesën në Kategorinë Superiore” – ka nisur bisedën ky sulmues që nga çdo anë që ta kthesh vlerësimin për të, të del përpara vetëm ai, sulmuesi me numrin 7 të fanellë, i pakrahasueshmi Sefedin Braho, i pagëzuar ndryshe “sulmuesi- fluturues”. Me një shpejtësi të jashtëzakonshme natyrore, driblues plotë elegancë, virtuoz me topin, shënues goli kur pak kush besonte se do gjente atë dhe shumë problematik për t’u mbuluar në çdo sektor të fushës nga çdo mbrojtës. Ky është portreti sportiv i 18 viteve 1970 -1988 që luajti futbollin e tij të bukur Sefedin Braho. I lindur më 18 gusht 1953 në lagjen “Punëtore” të Gjirokastrës në një familje ku më parë kishin luajtur futboll kushëriri i tij Ibrahimi dhe vëllai më i madh Hysen Braho, që moshën e fëmijërisë Sefia ose “ Arapi” siç ka pasur nofkën nga shokët e tij, u dashura shpejt pas lojës të topkëmbës. Me orë të tëra”harrohej” ai pas topit në rrugët dhe sokakët e qytetit tij.Pak vite më vonë në shkollën 8 vjeçare “29 Nëntori” dhe për më shumë në fushën e vjetër të sportit djaloshi vogël do binte në sy nga moshatarët e tij për lëvizjet me topin. Ky fakt është konstatuar mësuesit të edukimit fizik Lalan Habibi, duke ia sugjeruar talentin e ri trajnerit Ziso Cabeli për ekipin e të rinjve. Tek Sefedin Braho harmonizoheshin bukur teknika me topin me shpejtësinë e jashtëzakonshme në veprime. Të gjitha këto nuk shpëtuan trajnerin të ekipit të Luftëtarit në ato vite Foto Xhaji, që për të talentin e Sefedin Brahos ka bërë këtë vlerësim: “Sefedin Brahon nuk e bëra unë futbollist, ai kishte lindur e tillë. Unë e gjeta duke luajtur futboll zbathur dhe vesha këpucët sportive. Kur ishte vetëm 17 vjeç Sefedin Braho do kaloj tek ekipi parë i Luftëtarit. Trajneri Xhaji do t’i besojë një vend titullari në atë ndeshje të humbur 0-6 kundër Partizanit në muajin shtator të vitit 1970. Edhe pse në skuadër kishte futbollist të tillë si Kurti. H. Braho, M. Caro, Sh. Zilja, C. Ndoja, përsëri ekipi nuk mund ta përballonte dot Partizanin e Panajot Panos. Trajnerët e skuadrës së kuqe, Kolec Kraja dhe Ilia Shuke në atë ndeshje dalluan qartë vetitë dhe cilësitë e rralla të sulmuesit Sefedin Braho. Kjo është dhe arsyeja që në vitet 1972 -1974, Braho të bëhet pjesë e Partizanit përkrah Panos, Ragamit, Bizit, Xhafës, Berishës Muratit e të tjerë. I shpejtë që në start, plot fantazi me topin dhe ndëshkues për mbrojtësit dhe portierët. Specialistët kanë përcaktuar se Sefedin Braho mund të jetë futbollisti më i shpejtë i kampionateve shqiptare ndër vite.Me një start dhe sprint të tillë, rrallë kanë parë pistat dhe fushat e futbollit. Një shpejtësi natyrale, një aftësi që i ka mahnitur të gjithë. Shpejtësi e kombinuar me topin në lëvizje, driblimi, ishin cilësitë që e karakterizonin në individualitetin e tij. Ky ishte Sefedin Braho tek Partizani që në vitin 1973 shijon dhe fitimin e Kupës së Shqipërisë. Por me përfundimin e shërbimit ushtarak dhe “stazhit “ sportiv tek Partizani në 1974 Sefedin Braho kthehet tek Luftëtari ku së bashku me Dhori Kallucin, Spiro Curin, Luan Setin, Cici Bonin dhe të tjerët Shoni e Ciko, Ksera e Lamaj, Angoni e Halili, Liti dhe Shameti me trajner Hito Hitaj, do sillnin në futbollin atë “Luftëtar” që dhe skuadrat elitare si Partizani, Vllaznia, Dinamo, 17 Nëntori dhe Flamurtari do kishin të vështirë në stadiumin “Subi Bakiri”. Në sezonin 1978 -79 Luftëtari është nënkampion dhe merr pjesë në Kupën Ballkanike ku sulmuesi Sefedin Braho do të jetë protagonist i skuadrës të qytetit tij. “Trioja e njohur gjirokastrite Braho-Kalluci-Seiti është një simfoni futbollistike shumë e dashur” –do komentonte në ato radiokronisti njohur, i paharruari Frederik Fico. Dhe sulmuesi Braho nga kampionati në kampionat do rritej në çdo drejtim si një sulmues i pakrahasueshëm. Golat e shënuar sipas mënyrës tij janë vlera të veçanta për këtë sulmues “fluturues”. Kështu mund të veçohen ato të realizuar në Tiranë kundër Dinamos, kur Luftëtari fiton 3-2 ku Braho ka realizuar golin e parë, pasi ka dribluar plot 5, mbrojtës kundërshtarë. Po kundër Dinamos, në vitin 1977, Luftëtari fiton 5-2, ndërsa Dinamo ishte në avantazh 2-1 në pjesën e parë. Braho ka qenë protagonist i përmbysjes së madhe kur ka marrë një 11-metërsh. Mbrojtësit shpesh herë kanë qenë te detyruar ta frenojnë lojën e tij me ndërhyrje të rënda, duke dhe dëmtuar “fluturuesin” Sefedin Braho. Kështu ka ndodhur sezonin 1978 -’79 dhe në Gjirokastër luhet takimi Luftëtari-Dinamo 0-1.Luftëtari është në krye të klasifikimit dhe sapo ka startuar faza e dytë. Janë luajtur vetëm 30 sekonda lojë dhe një ndërhyrje shumë e rëndë ndaj tij ka shkaktuar një frakturë, që e largon për katër muaj nga fushat e futbollit. Po kështu kujtohet se në Lezhë, sezoni 1973-’74, luhet Besëlidhja – Partizani. Një goditje në nofull, për pasojë një frakturë e rëndë dhe menjëherë në Spitalin Ushtarak. 15 ditë në gjendje të vështirë, pa mundur të lëvizë kokën dhe duke sjellë vështirësi në të ushqyer. Por vlerat e mira sportive dhe cilësitë Sefedin Braho do t’i ruajë dhe kur kalon të 30 vjetët e moshës tij. Ndoshta është një rast unikal në futbollin tonë, si ai i sulmuesit Sefedin Braho që i jep lamtumirën futbollit të luajtur në moshën 35 vjeçare në vitin 1988. Por më i plotë portreti Sefedin Brahos bëhet dhe nga “arshiva” me ndeshjet ndërkombëtare Me ekipin kombëtar janë nëntë ndeshje dhe një gol i shënuar. Ky është bilanci i Brahos me fanellën kuqezi. Ka luajtur kur ishte me Partizanin, por edhe kur luante me Luftëtarin. Ndeshja e parë e tij është 6 majit 1973 në Tiranë ndaj Rumanisë 1-4. Pastaj vijojnë dy takimet pasardhëse: Me Finlandën 1-0 dhe RD Gjermane 1-4. Në vitin 1980 katër ndeshje me trajnerin Zyber Konçi, madje në Tiranë ndaj Finlandës në vitin 1980 realizon golin e parë në fitoren 2-0. Dhe, takimi i fundit po në vitin 1980, në Tiranë ndaj Austrisë 0-1. Me klubet ka qenë një ndër futbollistët e marrë si përforcim në disa takime. Veçohet këtu ato të Partizanit ndaj Sëlltikut 1979, Rijekës 1978 dhe Malmoes 1980. Por, edhe Dinamo që e ka marr Sefedin Brahon në ndeshjen kur luajti kundër Aberdinit. Më 1982. Dhe nga këto ndeshje dhe një fakt shumë interesant. Pas ndeshjes në Tiranë më 19 shtator 1979, Partizani 1-0 Sëlltik, gjatë banketit në hotel “Dajti” pas ndeshjes, presidenti i Sëlltikut i kërkon trajnerit Birçe të bisedojë me Sefedin Brahon. Ai e kishte vlerësuar si një futbollist shumë cilësor dhe me idenë për ta marrë në Skoci, i bëri ofertën prej 1 milion dollar. Por, ajo ishte vetëm një ofertë, që mbeti vetëm një dëshirë e pa treguar në ato vite ….

Skeda e Sefedin Brahos

Lindur: Në Gjirokastër, më 18 gusht 1953

Karriera:Luftëtari 1970 -1972 dhe 1974 -1988

Partizani 1972- 1974.

Roli në skuadër: Sulmues

Numri në fanellë: 7

Trofe të fituara: Në vitin 1973 me Partizanin – Kupën e Shqipërisë

Ndeshje me ekipin kombëtar: në vitet 1973-1983 janë 9 ndeshje me një gol te shënuar dhe me ekipet kombëtare U-21 dhe U-23 janë 6 ndeshje te zhvilluara.

Vlerësime: “Mjeshtër i Merituar Sporti”, “Nderi i Sportit Shqiptarë”, “Qytetar Nderi i Gjirokastrës “. “Mjeshtëri i Madh “

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu