Në komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian po zhvillohet një seancë e posaçme dëgjimore në Komisionin e Jashtëm për situatën në Shqipëri, ku spikatën qëndrimet kritike ndaj qeverisë shqiptare dhe kërkesa e përsëritur për plotësimin e 15 kushteve për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në diskutim e tij reporteri për Shqipërinë David Lega, vlerësoi qëndrimin e Presidentit Meta në mbrojtje të Kushtetutës, ndërsa shtoi se Shqipëria është në rrugën e çeljeve të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, por ende priten rezultate konkrete për realizimin e reformave kyçe.

“Janë 15 kushte që Shqipëria duhet të plotësojë para vendimit për hapjen e negociatave me BE”, u shpreh zyrtari europian.

Ai u ndal edhe në domosdoshmërinë e ashpërsimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës.

Edhe pse kryeministri Edi Rama i mohon, 15 kushtet kanë rrjedhë nga një vendim i Bundestagut Gjerman, që është i detyrueshëm për votën e Gjermanisë në Këshillin e Europës, pasi është ky Këshill dhe jo Komisioni, që do të vendosë për nisjen e bisedimeve. Vetë Këshilli i Europës i ka miratuar këto kritere në tetor të vitit 2019.

Ndërkohë, vendimi i Parlamentit Europian për të zbatuar 15 kriteret është i detyrueshëm për Komisionin dhe sigurisht që ka pasoja buxhetore për të.

E thënë më qartë: nëse nuk plotësohen këto 15 kushte, nuk do të organizohet konferenca e parë ndërqeveritare, e cila shënon nisjen e negociatave.

15 kushtet që duhen përmbushur nga qeveria, përpara nisjes së konferencës së parë ndërqeveritare janë si më poshtë:

1- Miratimi i reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR
2- Financim transparent i partive politike dhe i fushatave elektorale, duke siguruar zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi, përfshirë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë në konsideratë, ekspertizën ndërkombëtare, përfshirë opinionin e Komisionit të Venecias.
3- Finalizimi i ngritjes së strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
4-Forcimi më tej i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
5- Trajtimi i fenomenit të azilkërkimit të pabazë dhe riatdhesimet.
6- Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias
7- Nisja e procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kanë kaluar vetingun
8- Nisja e procedimeve penale kundër atyre që janë akuzuar për blerjen e votës.
9- Prova të vazhdueshme në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë nisjen e procedimeve kundër zyrtarëve të lartë publikë dhe politikanëve.
10- Progres i prekshëm, në lidhje me reformën në administratën publike
11- Zbatimi i reformës zgjedhore
12- Vendim final për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019.
13- Progres i mëtejshëm për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e minoriteteve.
14- Adoptimi i ligjit për censusin e popullatës në përpujthje me rekomandimet e Këshillit të Europës
15- Avancimi me procesin e regjistrimit të pronave. 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu