Tre infermieret e arrestuara në Pejë në fillim të muajit Nëntor për dhunën e ushtruar ndaj një moshuareje në qendrën ”Orenda”, janë liruar nga paraburgimi.

Rraportohet se infermieret janë lënë të lira me vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës, që ka pranuar kërkesën e avokatëve.

Tre infermieret do të hetohen tashmë në gjendje të lirë për rastin brenda qendrës së të moshuarve ”Orenda” në Pejë, ku u filmuan duke ushtruar dhunë ndaj një të moshuareje për të cilën kishin detyrë që të kujdeseshin.

Avokati Meshari Selimaj i familjes së të moshuarës që u dhunua brenda qendrës Orenda në Pejë, ka reaguar për tvklan.al pas vendimit për lirimin nga paraburgimi të 3 infermiereve të akuzuara. Për tvklan.al, avokati i familjes ka thënë se vendimi i sotëm i Gjykatës Supreme të Kosovës ka shuar besimin për drejtësi.

Tre infermieret u arrestuan në fillim të Nëntorit dhe u lanë në paraburgim për 1 muaj, por Gjykata Supreme i liroi sot duke pranuar kërkesën e avokatëve mbrojtës dhe hetimin e tyre në gjendje të lirë.