Naftëtarët e Ballshit ndodhen sot në ditën e gjashtë të grevës së urisë dhe si pasojë gjendja shëndetësore e tyre është rënduar së tepërmi.

Ata janë dërguar me makine private në spital për të marrë ndihmën mjekësore për shkak të gjendjes së rënduar. Mësohet se tre grevistët që kanë shfaqur probleme me shëndetin janë Jonuz Mucaj, Hysni Agalliu dhe Aleksander Mejdani. Ndërkohë, mjeku Kastriot Ahmetaj thotë për mediet se njëri nga pacientët ishte paraqitur me të marrje mendsh dhe të vjella në spital. Ai u shpreh se gjendja e pacientit tashmë është stabilizuar.

“Pacienti kishte marrje mendsh dhe të vjella. Gjendja e pacietit është stabilizer tashmë”, u shpreh mjeku Kastriot Ahmetaj.

Grevistët kërkojnë të marrin 27 pagat e prapambetura, pasi kanë punuar për 2 vite pa paguar, vetëm të detyruar nga ligji që i dënon në rast se e braktisin.

Kjo grevë urie ka sjellë edhe reagime nga ana e opozitës dhe e Avokatit të Popullit. Dy përfaqësues të Avokatit të Popullit, vizituan dje grevistët e Poçemit dhe ata të Ballshit, ku dëgjuan ankesat e grevistëve, të cilët kërkojnë marrjen e pagave të prapambetura. Tek ata ka shkuar edhe ish-deputeti i PD-së Luan Baçi dhe ka deklaruar se pushtetarët i kanë lënë në mëshirë të fatit dhe se askush nuk pyet për ta. Ndërsa, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u bëri thirjre strukturave të LSI-së në Fier që t’u qëndrojnë pranë punëtorëve.

Ndërkohë dje administratoridhe partneri i Shoqërive “Tosk Energji” SHA dhe “Byllis Energji” SHA, Blerim Hoxha, ka njoftuar se, duke marrë parasysh gjendjen e naftëtarëve,  shoqëria do të paguajë së shpejti 3 paga.

Rafineria e Ballshit e administruar nga kompania “Tosk Energji” është mbyllur që në muajin shtator.  Naftëtarët dolën disa herë në protestë në Fier, ku kërkuan që të merrnin pagat e tyre, por u dëgjuan  nga autoritetet. Janë më shumë se 800 punëtorë që kanë mbetur pa punë. Bankers në një reagim pas mbylljes së rafinerisë, e ka hedhur fajin tek ‘Tosk Energji’, ku u shpreh se kjo kompani ka shkelur disa herë kontratat çka e ka vënë atë në pozitë të vështirë për sasinë e naftës gjendje e cila ka kaluar më pas për eksport.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu