Nga Enton Abilekaj

Një hartë dyngjyrëshe, me pakicën blu në krye, ka pushtuar si kërcënim mediat dhe rrjetet sociale. Shfaqet si fortografi besnike e hartës elektorale të Shqipërisë, si një llogari e ftohtë e votës së shqiptarëve. Në fakt është piktura më e shëmtuar e Edi Ramës, që ndryshe “fluturat” që mban në zyrë, nuk shqetëson vetëm ata që zgjedhin ta shohin. Është piktura e një përbindëshi që vjen nga historia për t’u thënë, edhe atyre që nuk duan ta shohin, se liria mbaroi.

Filloi të mbaronte në 2017, kur aleanca e Edi Ramës me oligarkët dhe krimin, prodhoi një pushtet jopërfaqësues, që si i tillë i shërbeu vetëm atij grupi, u investua që ligjet dhe institucionet të vihen në shërbim të tij dhe, në fund, kur dukej se po i vinte fundi i mandatit 4- vjecar, investoi të vinte zgjedhjet në shërbim të një mandati tjetër.
Një mandati që do të asgjësojë cdo rezistëncë ndaj një pushteti politik që kontrollohet nga 1 person, një pushteti ekonomik që kontrollohet nga pak miq të tij, një pushteti gjyqësor që kontrollohet nga avokatët e tij, një pushteti okult që drejtohet nga kriminelët e tij dhe që mbrohet nga policët e tij.

Mjafton të hapet lista e kandidatëve, të lexohen më të votuarit, për të kuptuar se si të gjitha këto pushtete i kanë shërbyer asaj që nxorën me zor kutitë e mbushura në 25 prill; një leje për instalimin e regjimit që kishte hedhur karabinanë në 4 vite.

Mbledhja e fakteve është një procedurë e tepërt. Mjafton një klikim në hartën dyngjyrëshe, për të kuptuar se më shumë se 100 mijë vota janë të blera, kanë prodhuar parti që nuk ekzistojnë dhe kandidatë pa asnjë profil, që nuk kanë patur asnjë lidhje me punën e ndershme, politikën dhe partitë.

Janë 100 mijë vota ose 2 herë e gjysmë më shumë se diferenca mes PS dhe sfiduesve që shpjegohen vetëm me blerjen e votës. Janë 80 mijë vota të pavlefshme, ose dy herë më shumë se diferenca, që mjaftojnë për të hedhur dyshime mbi rezultatin. Janë 180 mijë vota jashtë votave të PS, që mjaftojnë për të kuptuar masakrën elektorale. Pa llogaritur thasët me ndihma, paratë e shpërndara si dëmshpërblime tërmeti në javët e fundit të fushatës, punësimet e paligshme të 6 muajve të fundit që janë përkthyer si vota të PS. Pa llogaritur ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, që ndanë opozitën dhe i bënë 107 mijë votat e LSI, të prodhojnë vetëm 4 deputetë, ose vetëm 1 mandat më shumë se 36 mijë votat e Tom Doshit.

Mjafton kaq për të kuptuar që Edi Rama është pakicë. Një pakicë që ka vjedhur apo blerë vullnetin e njerëzve, një pakicë që ka vendosur të varfërojë shqiptarët për t’i zhveshur nga mendimi dhe të drejtat, për t’u shkatërruar vetëdijen politike dhe sociale, në mënyrë që me paratë e vjedhura, t’ua blejë dhe pushtetin që kanë një herë në katër vjet, por që nuk arrijnë ta besojnë më.

Pasi bllokoi rrugët drejt së vërtetës, duke marrë në kontroll matësit e publikut, duke hedhur para dhe trollsa në rrjetet sociale, duke marrë mediat kreysore nën kontroll, pasi mori të dhënat personale të gjithë shqiptarëve për t’i survejuar, angazhoi administratën për të rrahur duart në mitingje dhe për të rrahur kundërshtarët jashtë tyre, angazhoi policinë në mbrojtjen e blerësve të votës dhe kriminelëve që mblidhnin karta identiteti, angazhoi gjithë shërbimet e shtetit për shantazhim ose shpërblim të votuesve dhe prodhoi lejen për të instaluar regjimin.

Tani që opozita, si instrumenti i prishur që zemërimi popullor përdori për të hequr Ramën, është shpërbërë më keq, rruga drejt totalitarizmit është e hapur. Përtej dorëheqjes se natyrshme të Bashës dhe Kryemadhit, përtej nevojës për gjetjen e lidershipit të ri, emergjenca më e madhe është gjetja e një mënyre për të shpëtuar vendin. Kushdo të jetë në krye të opozitës, nuk mund ta bëjë vetëm. Opozita, pas 4 vjetësh përpjekje pa busull, e ka humbur të drejtën morale për ta drejtuar rezistencën ndaj regjimit, atë mund ta bëjë vetëm një aleancë e madhe që të përfaqësojë gjithë qytetarët.
Kur përjetohet ajo që shkruhet në histori, është e vështirë të dallohet. Largësia e historisë dhe afërsia e realitetit krijojnë konfuzionin e formave dhe përmasave. Vështirë të dallohet, deri kur kuptohet, kur shenjat e kaplimit nga totalitarizmi dhe mpirjes nga mungesa e hapësirës bëhen evidente. Në 25 prill, regjimi nisi rrugën e pakthyeshme, dalëngadalë shenjat do pushtojnë gjithcka dhe gjithkënd, por do të jemi të mpirë për të reaguar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu