Shqiptarët vazhdojnë të largohen masivisht nga vendi i tyre dhe ky nuk është lajm i ri. Po ashtu nuk është as diçka e re që shqiptarët preferojnë të shkojnë në Gjermani.

Por një fenomen i ri ka nisur të shënohet në Gjermani, sidomos në qytetin e Këlnit. Sipas revistës gjermane Express, mijëra banorë të Ballkanit Perëndimor po shkojnë kryesisht në qytetin e Këlnit, ku prezantohen si ‘refugjatë dimri’.

Të shkosh në një vend të ftohtë si Gjermania për të fituar statusin e ‘refugjatit të dimrit’ duket paradoks, por ja që ndodh.

Ky qytet thotë se dimrin që lamë pas ka shënuar një rekord prej 3200 refugjatësh dimri, kurse sivjet priten më shumë. Ata vijnë kryesisht nga Shqipëria, Kosova, por edhe Serbia e Maqedonia e Veriut.

“Ata shpresojnë se në Këln do gjejnë akomodim, kujdes mjekësor, ushqim, veshje dhe… para,” shkruan revista.

Pasi kalojnë dimrin në Gjermani, kthehen në vendin e tyre.

Kjo histori ka trazuar jo pak gjermanët. Express shkruan se rasti tipik është ai i një familje nga Shqipëria, për të cilën është marrë edhe një vendim gjykate.

Çifti shqiptar me dy fëmijë mbërriti në dhjetor. Ata nuk aplikuan fare për azil. Autoritetet vendosën për dëbimin e tyre, por familja nuk u largua vullnetarisht. Zyra e emigrimit i vendosi ata në një qendër pritjeje.

Familja mori mbështetje nga burime të tjera, shkruan revista. Çështja përfundoi në Gjykatën Administrative dhe kjo vendosi që qyteti të akomodonte familjen shqiptare.

“E drejta e qëndrimit nuk skadon për shkak të skadimit të certifikatës së vendkalimit kufitar dhe as për shkak të urdhrit për largim. Përkundrazi, kërkesa është e ndarë nga çështja e detyrimit për të larguar të huajt, për sa kohë aplikantët janë të pastrehë dhe janë akoma brenda zonës së përgjegjësisë së qytetit,” thuhet në vendimin që është pritur keq në administratën vendore në Këln.

“Fjala përhapet shpejt mes atyre që organizojnë udhëtime nga Ballkani drejt Këlnit,” thotë një punonjës i qytetit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu