Të premten nis Kongresi i Partisë Socialiste, i cili për tre ditë më radhë do të kryejë zgjedhjen e antarëve të Asamblesë dhe më pas do të votohen ndryshimet në statutin e PS-së.

Një ditë përpara Kongresit të PS-së, 8 anëtarët e kësaj partie, mes tyre emra të njohur dhe me kontribute ndër vite në këtë parti si Arta Dade, Eva Teqja (Allushi), Ibrahim Sulaj, Irena Beqiraj, Luan Zhegu, Maqo Lakrori, Nazmir Bilani dhe Përparim Bodinaku etj… kanë përgatitur një mocion me 10 pikash për të realizuar ndryshimet në programin e qeverisjes dhe në statutin e PS-së. Në këtë dokument propozohet një dokument me 10 pika që synojnë sipas tyre reformimin e Partisë Socialiste.

Objektivat e këtij mocioni sipas tetë firmëtarëve janë tre dhe që synojnë një “Parti me liri fjale, votim të ndershëm, vendimmarrje dhe drejtim kolegjial; Parti me integritet, e pakapshme nga korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe Parti që realizon qeverisje të majtë demokratike, që mbron dhe shërben interesat themelore të shtetasve shqiptarë, kudo që jetojnë dhe punojnë”.

Kufizimi i mandateve dhe njohja e pakicës

Tetë propozuesit duan që kjo paketë të kalojë e plotë në Kongres, duke u votuar si një e tërë, pra pa ndryshime. Sa i përket statutit të PS-së , 8 mocionistët kërkojnë që të ketë një kufizim të mandatesh të drejtuesve kryesorë të PS-së. “Numri i mandateve partiake të kryetarit, sekretarit të përgjithshëm dhe sekretarëve të Partisë Socialiste kufizohet deri në dy”, thuhet në pikën nëntë të këtij dokumenti.

Një tjetër propozim tjetër është ndarja e posteve partiake me ato shtetërore, duke krijuar kështu një model të ri që aplikohet në skenën e politikës shqiptare.

“Funksionet e kryetarit, sekretarit të përgjithshëm dhe sekretarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë janë të papajtueshëm me funksionet e presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrit dhe kryetarit të bashkisë”, theksohet në pikën tetë të këtij mocioni.

Propozimi tjetër ka të bëjë me mënyrën e përzgjedhjes së kandidatë për deputetë, kryetarë bashkie dhe anëtarë të këshillave të zgjidhen nga baza, duke bërë edhe një votim nga organizatat e PS-së dhe më pas forumet e lartë drejtuese duhet ta respektojnë një propozim të tillë.

“Kandidatët zhvillojnë fushatë parazgjedhore në parti e në komunitet dhe përzgjidhen me votim të fshehtë. Forumet partiake drejtuese, që shpallin emrat e kandidatëve zyrtarë të Partisë Socialiste të Shqipërisë në zgjedhjet parlamentare dhe vendore, detyrohen që të respektojnë propozimin e organizatave socialiste. Përndryshe, duhet të argumentojnë mospajtimin e vet me anëtarësinë socialiste të këtyre organizatave dhe të kërkojnë prej tyre rivotim të fshehtë; ky rivotim është vendimtar”, theksohet nga mocionistët.

\Por, propozimet që i synojnë reformimin e PS-së përfshijnë edhe legalizimin e fraksioneve, apo të oponencës brenda socialistëve, duke u pasqyruar në forumet vendimmarrëse në Kongres, Asamble në Kryesi, si garanci për mbrojtjen e demokracisë së brendshme. “Oponenca kolektive merr formë të organizuar dhe funksionon vetëm pasi platforma e saj të jetë mbështetur me votim të fshehtë nga të paktën 20% e anëtarëve të partisë”, thuhet në këtë dokument.

Gjithashtu kërkohet që të sanksionohet në statut edhe një ndëshkimi i atyre që manipulojnë zgjedhjet.

“Ndëshkimi ligjor është i mundshëm pavarësisht kohës se kur provohet krimi elektoral dhe pavarësisht statusit politik të personit apo personave porositës, manipulues dhe vjedhës të votave”, thuhet më tej në këtë dokument .

Hetim pasurive dhe sistemi i ri zgjedhor

Kryesocialisti Edi Rama në kongresin e PS-së

Në pikëtën dy të këtij propozimi kërkohet Përfaqësuesit e Partisë Socialiste të Shqipërisë në institucionet shtetërore legjislativë dhe ekzekutivë, qendrorë dhe vendorë, janë të detyruar politikisht që të hartojnë e të zbatojnë programe qeverisës me natyrë të majtë demokratike, si dhe të korrigjojnë çdo veprim të mëparshëm qeverisës, që nuk respekton këtë detyrim, pavarësisht se kur është kryer. Tetë mocionistët duan që të ndryshohet Kushtetuta dhe të caktohet një sistemi i ri zgjedhor, duke mos synuar që pushteti të mos përqendrohet te një dorë e vetëm. “Amendimet përfshijnë vendosjen e një sistemi zgjedhor që e bën Kuvendin e Shqipërisë më përfaqësues të vullnetit të popullit, fuqizon kontrollin parlamentar të ekzekutivit dhe shmang çdo përqendrim ”de jure” e ”de facto” të pushtetit shtetëror në një institucion apo individ të vetëm”, thuhet në këtë dokument. Kërkohet verifikim i pasurive të gjithë zyrtarëve që janë zgjedhur në krye të shtetit, si dhe të deputetëve. Për këtë propozohet konfiskimi i pasurive të tyre të paligjshme; dënimi sipas ligjit i personit abuzues, pavarësisht funksionit politik që ka pasur, që ka aktualisht apo që mund të ketë në të ardhmen.

Propozimet e mocionistëve
– Numri i mandateve partiake të kryetarit, sekretarit të përgjithshëm dhe sekretarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë kufizohet deri në dy
– Funksionet e kryetarit, sekretarit të përgjithshëm dhe sekretarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë janë të papajtueshëm me funksionet e presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrit dhe kryetarit të bashkisë
– Kandidatët e Partisë Socialiste të Shqipërisë për deputet, kryetar bashkie dhe këshilltar vendor propozohen nga organizatat socialiste të zonës zgjedhore vendore në të cilën ato veprojnë.
– Në Partinë Socialiste të Shqipërisë njihet e drejta për oponencë kolektive të organizuar në forumet partiake vendimmarrëse qendrore Kongres, Asamble Kombëtare, Kryesi.
– Oponenca kolektive merr formë të organizuar dhe funksionon vetëm pasi platforma e saj të jetë mbështetur me votim të fshehtë nga të paktën 20% e anëtarëve të partisë.
– Ndëshkimi ligjor është i mundshëm pavarësisht kohës se kur provohet krimi elektoral dhe pavarësisht statusit politik të personit apo personave porositës, manipulues dhe vjedhës të votave.
– Pastrimin e klasës politike drejtuese në pushtet dhe në opozitë nga korrupsioni dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar.
– Ndryshim i Kushtetutës dhe sistem i ri zgjedhor, që pushteti të mos përqendrohet vetëm te një person
– Verifikimi sistematik dhe pa asnjë përjashtim i pasurisë së të gjithë personave që kanë kryer, kryejnë ose do të kryejnë funksionet e presidentit, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrit, deputetit, kryetarit të bashkisë.
– Konfiskimi i pasurive të tyre të paligjshme; Dënimi sipas ligjit i personit abuzues, pavarësisht funksionit politik që ka pasur, që ka aktualisht apo që mund të ketë në të ardhmen.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu