Fjala e plotë e Sekretarit për Pushtetin Vendor në PD, Ylli Asllani, sot në konferencën për shtyp:

Një ditë pasi u hapën bisedimet e negociatave me Evropën, ne dolëm në këtë konferencë shtypi sepse mund ta bënim edhe më përpara për të njoftuar se sa hapa dhe sa rrugë të gjatë kemi të paktën në funksionin e pushtetit lokal dhe qeverisjes vendore.

Ne si pushtet lokal, sekretariati i pushtetit lokal, forumi që është krijuar pranë Partisë Demokratike ka konstatuar me dhimbje se një prej kryebashkiakëve, i cili është bërë kryeministër, është bërë dhe autori i një dëmi shumë të madh, i shkatërrimit të qeverisjes lokale në Shqipëri në një kohë.

Kur pritej që me eksperiencën e tij si kryebashkiak të jepte një kontribut të madh, ai ka asfiksuar dhe i ka çuar në një rrugë pa krye qeverisjen lokale, demokracinë lokale dhe zhvillimin rajonal.

Ajo që sot donim të thonim, tashmë e dinë të gjithë që reforma ka dështuar, e pranon edhe media, e pranon edhe vetë mazhoranca, e pranon edhe opinioni shqiptar, por ajo që duhet të themi është që reforma e ngritur në vitin 2015 ishte një reforme qe kishte në qendër interesat e ngushta të një individi dhe të një grupi në krye të qeverisë.

Oferta e PD, që po përgatitet, është komplet e kundërta, është një ofertë e cila ka në bazë të saj qytetarin dhe interesat, shërbimet ndaj qytetarit.

Për të arritur në këtë fazë dhe për të arritur këto objektiva, ne duhet t’i argumentojmë shqiptarëve se rritja e efiçencës ekonomike që u pretendua nga një ndarje mekanike ishte një ide shumë e gabuar. Duhet të argumentojmë që demokracia lokale nuk është slogan i hedhur për publicitet, demokracia lokale është thjesht thelbi i te gjithë funksionimit të pushtetit lokal. Demokracia lokale ka të bëjë me atë që qytetarët janë pjesë e qeverisjes, janë pjesë e interesave të tyre, janë përfaqësues të interesave të gjithsecilit dhe janë përfaqësues të krahinave nga të cilat vijnë.

Këta qytetarë, për fat të keq në këtë reformë janë përjashtuar pa asnjë lloj kriteri. I vetmi kriter që ka funksionuar ka qene kriteri i përfitimeve politike në zgjedhjet e radhës. Kjo është një fatkeqësi e madhe, pa hyrë në detaje do thosha një shpopullim i madh i te gjithë krahinave, i gjithë territoreve të ish-komunave ka ndodhur në këto 6 vite të reformës territoriale të kryer në mënyrë të njëanshme.

Kjo reformë ishte në kundërshtim me kartën e autonomisë lokale, janë përjashtuar qytetarët, por është përjashtuar nga diskutimet edhe vetë opozita, që është në një masë të caktuar gjysma e popullatës.

Në asnjë vend të botës nuk lejohet që të bëhen ndryshime territoriale pa marrë mendimet e banorëve, të cilët banojnë aty. Nga kjo reformë kanë dalë struktura, të cilat janë larguar në mënyrën më të mundshme nga hallet dhe interesat e qytetarëve. Por të largohesh nga interesat e qytetareve nuk është thjesht një slogan, por të bësh prokurime, tendera, të ndryshosh jetën urbane, të planifikosh zhvillimin rajonal pa diturinë dhe pa aprovimin e qytetarëve, kjo është më tepër se e dëmshme.

Ajo që doja të thosha tjetër është që në reformën që do të vijë, dhe që ne jemi duke përgatitur së bashku, do të ketë vend për të thithur eksperiencën më të mirë të këtyre viteve.

Ne jemi shumë të bindur qe reformat administrative territoriale janë reforma për një kohë të gjatë, por përpara se të bëhet reforma administrative territoriale, duhen kryer një sërë reformash në strukturat e njësive vendore, në decentralizimin politik financiar, në ndërhyrje në taksat, për ta afruar në mënyrë normale një territor me një efekt të dobishëm.

Do ta mbyllja me faktin që përjashtimi i opozitës dhe përjashtimi i mijëra të zgjedhurve vendorë nga diskutimi i kësaj reforme do të jetë me probleme të mëdha.