Grupi i Shteteve të Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit (GRECO), ka publikuar një raport të ri për korrupsionin në Shqipëri, parandalimin që nis prej anëtarëve të kabinetit ministror, këshilltarët politikë dhe policinë. Në një afat të qartë deri më 30 prill 2022, GRECO deklaron se Shqipëria duhet të dorëzojë një raport për masat e marra në këto rekomandime.

GRECO kërkon luftimin e korrupsionit nga ministrat dhe këshilltarët e tyre. “GRECO shpreh dyshime në lidhje me zbatimin efektiv të Kodit Ministror të Etikës 2013 dhe funksionimin aktual të komitetit të etikës bashkangjitur me të. Dëshiron që të hartohen dhe zbatohen rregulla të qarta pas punësimit. Kuadri i përgjithshëm që detyron të interesuarit të deklarojnë pasuritë e tyre është krijuar. Sidoqoftë, GRECO vëren se nuk ka asnjë shembull që një ministër apo një këshilltar i tij / saj të ketë qenë i detyruar të tërhiqet nga një dosje për shkak të konfliktit të interesit”, thuhet ndër të tjera në raport.

Raporti i GRECO-s kritikon edhe procesin e Vettingut në Polici duke ngritur dyshimin se nga policia po largohen të kualifikuarit, duke dobësuar Policinë e Shtetit.

“Raporti bën thirrje që Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Verifikimin e Pasurive dhe Konflikteve të Interesit të pajiset me burime të përshtatshme për të optimizuar misionet e veta dhe që platforma elektronike që synon regjistrimin dhe publikimin e deklaratave të interesave private të bëhet funksionale sa me shpejt te jete e mundur. Ndjekja e dhënë për çështjet e transmetuara nga ILDKPKI në shërbimin e prokurorisë duhet të përmirësohet, gjë që presupozon funksionimin efektiv të Zyrës së re të Prokurorit Special Antikorrupsion (SPAK).

Lidhur me Policinë e Shtetit, GRECO ka frikë se procesi kalimtar i verifikimit do të çojë në largimin e personelit të kualifikuar dhe më pas të dobësojë institucionin. Raporti kërkon zëvendësimin e tij me kontrolle të rregullta të integritetit gjatë karrierës së personelit të policisë, i cili vlerësohet të jetë më i drejtë dhe më efektiv. GRECO shqetësohet për mundësinë që policia të marrë donacione private: nëse do të lejohej një praktikë e tillë, ajo duhet të rregullohet në mënyrë rigoroze për të kufizuar rreziqet e korrupsionit dhe konfliktit të interesit. Mundësia që policia të ofrojë shërbime shtesë me pagesë duhet gjithashtu të rregullohet në mënyrë rigoroze”, vijon raporti i Këshillit të Europës.

Raporti sugjeron marrjen e masave për emërimet në Polici, e po ashtu heqjen e kompetencës nga Ministri i Brendshëm tek Drejtori i Përgjithshëm i policisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu