Bashkimi Europian me të gjithë strukturat e tij do ta monitorojë zbatimin e paketës anti-KÇK në Shqipëri. Nëse konstatohet se ligjet shkelin të drejtat e njeriut, qeverisë do t’i kërkohet ndryshimi i tyre.

Këtë e konfirmon për A2, Isabel Santos, raportuesja për Shqipërinë në Parlametin Europian: “Sigurisht që qeveria dhe Parlamenti kanë mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së për ligjet dhe aktet legjislative. Ne do ta ndjekim zbatimin e ligjit. Nëse në ndonjë moment do të vërejmë se të drejtat e njeriut nuk po respektohen, BE dhe besoj dhe SHBA do t’i kërkojnë vendit tuaj të rimendojnë dhe ndryshojnë ligjin. Për tani, na duhet të ndjekim zbatimin e të shohim nëse është në përputhje të plotë me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Janë vlera bazike në Bashkimin Europian që nuk mund të shkelen. Jemi shumë striktë për këtë”.

Në intervistën për A2, Santos pohon se u habit nga situata politike në Shqipëri në këtë moment kyç për negociatat dhe pas gjithë besimit që iu tregua vendit në Konferencën e Donatorëve.  

Por, në pritje të 2 marsit të Presidentit, a mund të ndikojë përplasja mes tij dhe mazhorancës në vlerësimin për hapjen e negociatave?

“Shpresoj që jo, sinqerisht shpresoj që jo. Por, në këtë moment nuk mund të parashikoj efektin që mund të ketë kjo përplasje. Nuk e di nëse palët do të mund ta riformësojnë këtë përballje në të cilën janë përfshirë, cili do të jetë reagimi në ditët e ardhshme dhe cili do të jetë rezultati final në 2 mars. Shpresoj që jo, që përplasja të mos ketë efekt negativ, por nuk e parashikoj dot tani efektin e vertetë të saj”, u përgjigj Santos.

Portugezja që zëvendësoi Knut Fleckestain si raportuese në Parlamentin Europian thekson gjithashtu rëndësinë e mbylljes deri në 15 mars të Reformës Zgjedhore dhe shtrirjes së ndryshimeve dhe në ligje të tjera. Për ta kthyer sistemin politik në Shqipëri më pranë standardeve europiane.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu