Kryeministri Rama u kërkoi qytetarëve shqiptarë të kursejnë energjinë elektrike, për t’i bërë ballë krizës me të cilën po përballet vendi. Rama tha se Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka rritur çmimin e energjisë elektrike, e cila do të kushtojë më shtrenjtë për ata që konsumojnë mbi 800 KË.

”Duhet të jemi sa më të kursyer për të arritur të përballojmë krizën. Jemi të vetmit që nuk kemi rritur çmimin e energjisë elektrike. Ndërkohë që çmimi rritet në mënyrë marramendëse në treg dhe në bursë, është buxheti i shtetit që plotëson të gjithë atë hendek që zgjerohet mes çmimit real dhe asaj që paguan secili në faturë.

Energjia nuk do të rritet, por do të ndryshojë qasja për ata që konsumojnë përtej nevojave normale të një familjeje. Janë 96% e familjeve shqiptare që harxhojnë deri në 800 kë.

Këta 4% konsumojnë 20% të totalit të konsumuar nga familjet. Të mos e trajtojmë energjinë sikur jemi në mallin e babait.”, u shpreh kryeministri Rama.