Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel deklaroi sot nga Tirana se e ardhmja Shqipërisë është në BE, por ende nuk ka unanimitet mes 28 vendeve anëtare për hapjen e negociatave. Michel la të kuptohet se çështja do të ridiskutohet në takimet e radhës të vendeve anëtare, për të dalë me një qëndrim në muajt në vijim.

Mesazhi im është i qartë, them që sot nuk kemi unanimitet. Do organizojmë mbledhje në javët e ardhshme për të parë se si mund të kemi një vendim unanim për temat që paraqitura. Ka një unanimitet në lidhje me një pikë, që të gjitha vendet e BE konsiderojnë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë në BE”,- tha, Charles Michel.

Por mesazhi që dha përfaqësuesi i Këshillit Europian, zyra ku përplasen direkt shqetësimet e gjithë presidentëve dhe kryeministrave të vendeve anëtare të BE, nuk ishte optimist për Shqipërinë. Fakti që nuk ka unanimitet do të thotë që Franca, Holanda dhe Danimarka nuk kanë ndryshuar qëndrim nga vetoja e disa muajve më parë kur bllokuan hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Këtë klimë jo pozitive për hapjen e negociatave që përkthehet në dështimin e radhës të qeverisë, kryeministri Edi Rama u mundua ta kalojë me ironi. Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, kryeministri tha se në kushtet ku ndodhet sot Bashkimi Europian, edhe Franca po të kërkonte të hynte në union nuk do të pranohej po nga Franca.

Jam i vetëdijshëm se nuk varet nga çfarë themi apo bëjmë ne në këtë moment, por sa dhe si miqtë tanë në BE do të bien dakord për një metodologji të re dhe cila do të jetë qasja e përgjithshme e BE. Në këto kushte, edhe Franca të ishte duke kërkuar të hynte në BE nuk do të pranohej nga Franca. Është një diskutim konceptual brenda BE, që ne duhet ta respektojmë”,- deklaroi kreu i qeverisë.

Sipas kreut të qeverisë, nëse nuk hapen negociatat sërish fajin e ka Franca dhe ndonjë vend tjetër dhe jo mungesa e reformave të kabineti të tij. Rama shprehet se tashmë nuk kanë rëndësi nëse bëhen apo jo reformat, por sesi do të merren vesh mes tyre vendeve te BE-së. Mbi të gjitha, deklaratat e sotme e kryeministrit la të kuptohet se edhe po nuk u hapën negociatat, nuk duhet t’i kërkojmë llogari atij, por Emanuel Macron.

Problemi është se Macron është zgjedhur për të qeverisur francezët, ndërsa shqiptarët kanë zgjedhur Edi Ramën dhe ky i fundit ka detyrimin për t’u përgjigjur për dështimet e qeverisë së tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu