Kryeministri Edi Rama ka folur në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Rama theksoi se askush nuk dyshon në fuqinë e Këshillit të Sigurimit. Sfida jonë është ta bëjmë të drejtë atë çka është e fortë dhe ta bëjmë të fortë atë që është e drejtë.

“Për një organizëm kaq të fuqishëm sa Këshilli, të mos jetë i drejtë nuk mund të jetë alternativë, ndaj duhet të bashkohemi me drejtësinë, pasi nuk do të ketë paqe pa drejtësi”, është shprehur Rama.

Deklarata e plotë:

Siguria nuk mund të vendoset e jo më të zgjatë, pa u vendosur drejtësia. Kështu, mendimi ynë është se Këshilli i Sigurimit duhet të kërkojë arritjen e paqes dhe sigurisë, por edhe vendosjen e drejtësisë, llogaridhënies. Përmes llogaridhënies do të mund të shkojmë drejt pajtimit, që çimenton paqen e qëndrueshme.Kjo është edhe detyra për një vend te vogël si i imi. Ne nuk i sjellim fuqi materiale Këshillit të Sigurimit -së paku, jo tani – por nuk është fuqia ajo çka i mungon Këshillit të Sigurimit. As nuk është vetëm fuqia ajo që i duhet Këshillit për të zgjidhur sfidat më të ngutshme sot ndaj paqes dhe sigurisë në botë.

Ne jemi angazhuar të sjellim zërin, vlerat dhe normat tona në punën e përbashkët të Këshillit të Sigurimit, si kontribut për paqen. Ne dëshirojmë të ndajmë me të tjerët përvojat e jetuara, mësimet e marra.

Mënyra jonë e drejtpërdrejtë për të kontribuar në lehtësimin e vuajtjes së atyre në nevojë ka qenë të japim atë çka kemi, kur kemi mundur, kur është dashur ta bëjmë: u kemi hapur shtëpitë dhe zemrat atyre që kanë nevojë për shpëtim dhe strehë; qofshin ata hebrenjtë gjatë Holokaustit, kur Shqipëria u bë i vetmi vend që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa përpara saj apo për gjysmë milionë kosovarë, që iknin nga spastrimi etnik i regjimit mizor të Sllobodan Milosheviçit; apo mijëra pjesëtarë të MEK-ut, që janë strehuar të sigurt në Shqipëri dhe, me së fundi, mijëra afganë që u arratisën nga reprezaljet e talebanëve.

Ne nuk kërkojmë merita për këtë. Ajo i takojnë dinjitetit çdo qenieje njerëzore, pavarësisht besimeve, fesë, etnisë, gjinisë apo cilitdo orientimi.

Ky nuk është slogan – është praktikë e jetuar. Ne nuk veprojmë sipas këtij kodi nderi sepse mundemi, por thjesht sepse duhet – është pjesë e ndjesisë së asaj që jemi si shqiptarë dhe atë që duam të jenë fëmijët tanë.