Analisti Fatos Lubonja i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” tha se në Shqipëri një grusht njerëzish kanë juntën e tyre. Ai shtoi se në vend ëhstë instaluar një regjim, ndërsa ka treguar edhe sesi ka vepruar Edi Rama për të kapur oligarkët e për të qeverisur bashkë me ta.

“Edi Rama çfarë bëri që ka krijuar këtë situatë? Ai, duke tentuar, me atë kulturën që e thashë trashëgiminë, që e kishte edhe Berisha (por që nuk e arriti dot edhe për shkak se ishin të ndarë pushteti i Tiranës me pushtetin qendror në kohën që Rama ishte në opozitë), eliminoi edhe këtë sistem oligarkik.

Rama ka kapur gjithë oligarkët dhe ka grumbulluar ekonominë. Ka tendencën për të kapur të gjitha mediat që janë të këtyre oligarkëve kryesisht, dhe krijoi një regjim autoritar ku njerëzit, nuk kanë asnjë instrument demokratik në kuptimin që ose duhet që kjo opozitë të kthehet, të përfaqësojë njerëzit dhe jo oligarkët, që nuk e ka bërë dot akoma për mendimin tim ashtu siç duhet, Kjo e ka bërë situatën shumë më dramatike, në kuptimin edhe të demokracisë. Pra këtu është instaluar një regjim, një regjim që do ta quaje edhe oligarkiko-mediatik, akoma të paktën jo-policor, që në moment të caktuar mund të bëhet edhe policor, ka tendenca për t’u bërë dhe policor, ku një grusht njerëzish kanë juntën e tyre, që kanë ndërtuar interesat e tyre dhe prandaj nuk duan që të rrëzohen.

Tërmeti që ndodhi është një situatë që ka të bëjë me atë sesa e aftë është kjo juntë, për të menaxhuar dhe zgjidhur problemet. Ama dramën demokratike tërmeti mund ta ndihmojë, në kuptimin për të nxjerrë defektet e kësaj junte, por nga pikëpamja e strukturës ekonomike  ndikoi për të na thënë se duhet ndryshuar struktura ekonomike dhe strukturën sociale, që të gjithë njerëzit të dalin në dritë. Tërmeti mund të bjerë në një diktaturë, diktatura ngrihet dhe e rregullon bën shtëpitë e këto, por nuk bën asgjë në thelbin e vet në lidhje me zhvillimin e demokracisë. Ne jemi diktaturë e dobët, e paaftë dhe për këtë punë se këtu oligarkia ka interesat e veta.”, tha Lubonja.

Duke u ndalur në rrjedhën e zhvillimeve përgjatë demokracisë, Lubonja deklaroi se shqiptarët në vitet 1990 kishin sidoqoftë një mburojë ndaj liderëve diktatorialë.

“Po e kap aty ku e la Vasjari. Në 1997 kishim dritë, kurse sot edhe drita mungon. Çfarë ka ndodhur një diferencë e madhe në këto 20 vjet për mendimin tim. Përtej atyre që thamë se ishte popull i pakënaqur etj, Ajo që ishte një retorikë e fortë e 1997-s dhe çfarë ndërtoi Shqipëria nga viti 1991 – 1997 për mua, ishte një inerci, vazhdim i një regjimi autoritar, me një lider të fortë, që kërkonte të imitonte Enver Hoxhën apo jo, me të gjitha këto. Deri më 1996-1997 kur shpërtheu, ne luftën kryesore e kemi bërë kundër autoritarizmit të këtij lideri, që kishte të bënte me kulturën tonë që kishim trashëguar. Shqiptarët mund të them se kishin një sistem imuniteti nga diktatura e Enver Hoxhës, që mos lejojmë më një njeri që të na bëhet prapë si ish-diktatori”, tha Lubonja.

Fatos Lubonja thekson se Shqipëria në rrjedhën demokratike është qeverisur nga dy parti, që kanë përfaqësuar interesa oligarkësh.

“Por çfarë ka ndodhur nga 1997 e këtej që jemi në këtë gjendje që na bën pa dritë. Nuk është vetëm çështje e kulturës së këtyre liderëve që janë si diktatorë, por mos harrojmë sistemin ekonomik që nisi të ngrejë themelet nga 1997 e këtej, që është sistemi oligarkik, ku ti qeveris me një grusht njerëzish, me të cilët ti ndan paratë dhe të dyja partitë tona, kanë qenë të dyja parti oligarkësh që politikën e kanë përdorur si ndërmarrje biznesi për t’u pasuruar një grusht i vogël njerëzish. Ajo që na ka sjellë në këtë situatë është një kombinim pra i kësaj mendësisë së këtij liderit që prapë nuk e durojmë dot të jetë edhe aq absolut, dhe kemi ca imunitet me paaftësinë për të ndërtuar një sistem që mos të jetë oligarki, por të jetë demokratik, në mënyrë që vendim-marrjet tona të mos i vendosë vetëm një parti në pushtet që përfaqëson këta oligarkët për interesat e tyre, por për të gjithë njerëzit.

Dua të them se u instalua një oligarki, e cila deri në një periudhë kishte një lloj imazhi pluralizmi, sepse ishin dy parti oligarkësh që bënin rotacion, por pa ndryshuar asgjë në thelb, në strukturë, tek njerëzit. Pra, ndërrohej kryeministri, njëherë bëhej Berisha, njëherë Nano e këta, por gjithë oligarkia, gjithë sistemi ekonomik që nuk duhet ta neglizhojmë ishte i mbështetur në këtë dhe ai është pushteti i vërtetë”, deklaroi Lubonja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu