Edi Rama ka folur për herë të parë për çështjen e vetos holandeze ndaj Shqipërisë, tani në prag të nisjes së bisedimeve ndërqeveritare me vendet e BE-së.

Kryeministri ka treguar të njëjtën përrallë justifikuese që e rrëfen si alibi, sa herë që “shampanja e negociatave” i mbetet në dorë, pasi merr “karton të kuq”.

Kryeministri ka folur për demonizim të shqiptarëve në Holandë, si dhe për përdorim racist dhe dashakeqës të tyre nga mediat, sa herë që aty ka zgjedhje. Por nga ana tjetër “ka harruar” të thotë ndonjë fjalë, për kushtet konkrete të pazbatuara nga qeveria e tij, të cilat detyruan këtë vend të mendojë një bllokim pa afat për negociatat e Shqipërisë.

Edhe pak ditë më parë, në të njëjtën linjë, ai akuzoi presidentin Makron, se për të fituar pikë në “luftën” politike që ka brenda vendit, po penalizon Shqipërinë e tij, “pa asnjë të metë”.

Në përpëlitje për të ngritur alibinë e dështimit spektakolar të qeverisjes së tij 8 vjeçare në rrugën e integrimit, Rama u bë aq qesharak, sa tregoi edhe legjenda urbane si ato që holandezët nuk i donin rumunët në BE, se kishin frikë se u hanin lejlekët!

“Merrni shtypin holandez. Shikoni prej sa kohësh shqiptarët përdoren si gogol atje. Merrini. Shikoni artikujt për banda shqiptare të shpartalluara, dhe pastaj kur kur lexon përbërjen e bandës janë 2 shqiptarë dhe 2 të tjerë holandezë, belgë, marokenë, polakë, e ku di unë.

Është politike, është elektorale. Holanda ka zgjedhje në mars të vitit të ardhshëm. Bëni dhe një studim, shikoni kalendarin e zgjedhjeve në BE, vend për vend, shikoni qëndrimet e vendeve në raport me zgjerimin.

Thënë të gjitha këto, unë mendoj që duhet të presim deri në fund dhe nuk duhet të biem preh e këtyre lajmeve që janë shumë të pjesshme dhe ende të parakohshme për të nxjerr konkluzione. Ne kemi bashkëpunim të mirë me autoritetet holandeze, unë kam marrëdhënie shumë të mirë me kryeministrin e Holandës. Por kjo është një çështje e situatës së brendshme atje që ka për fat të keq një komponent shumë negativ të stimuluar mbi shqiptarët. Para shumë kohësh ishin bullgarët, kur do hynin rumunët ishin rumunët. Tani jemi ne. Kur do hynin bullgarët, thoshin këta janë ata që vranë Papën. Kur do hynin rumunët, thonin këta janë ata që hanë lejlekë dhe do na hanë lejlekët”, bëri alibinë e tij qesharake kryeministri Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu