Një batare me fyerje, ironi, sulme e gjithfarëlloj gjërash ka nxjerrë nga goja sot kryeministri Edi Rama, nga foltorja e parlamentit shqiptar. Kryeministri duket vërtet i shqetësuar nga opozita, e cila në shtator mund të shkojë drejt bashkimit, që e sulmon me kaq pezm, apo thjesht vijon aktrimin e tij para popullit, sikurse bëjnë të gjithë politikanët tanë në fakt?

Një pyetje që mund t’ia japë përgjigjen gjithsecili. Sidoqoftë, veç përplasjeve me liderin historik demokrat Sali Berisha, deri edhe në “face to face”, që deshi ndërhyrjen e gardës, kreu i ekzekutivit ka marrë një përgjigje me të njëjtën monedhë ironie nga Grida Duma.

Deputetja e Partisë Demokratike Grida Duma, i’u përgjigj kështu deklaratës së kryeministrit, që kulmoi me fjalët “nuk do të marrin asnjë hap për të zgjidhur problemet tuaja mes gojores dhe foltores”:

“Erdhët këtu dhe bëtë lajm. Me foltore dhe…. Habitu pak, për çfarë erdhe për të bërë këtë lajmin. Sa mirë që më ka bërë zoti grua, se po të isha burrë ta ktheja përgjigjen ndryshe. Nuk do të ishte shumë e fisme t’i përgjigjesha këtij.

Ti je aktori më i madh këtu. Nuk më pengon formimi të them që kush e ka aparatin tretës në tru mund të përdorë edhe gojën për jashtëqitje. Dhe ti e bën shpesh këtë.

Ti thua do ta votojnë ne si Çeço këtë rezolutë. Memoria e shkurtër ju funksionon. Ju e votuat si Çeço Srebrenicën, pasi dikush ua nxori kartonin e kuq për të”.