Ashtu siç kishte paralajmëruar kryeministri Edi Rama, qeveria e tij ka nisur paditë në SPAK ndaj vetë zyrtarëve të administratës.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në një konferencë për shtyp deklaroi se do të depozitojë një kallzim në SPAK për zyrtarë të lartë të Agjencisë së Kthimit të Pronave, që, sipas tij, janë të përfshirë në korrupsion.

Mes tyre Jonida Baçi, drejtoreshë e Agjencisë së Trajtimit të Pronave do të kallëzohet penalisht në SPAK, nga Agjencia Antikorrupsion.

“Ka dyshime të arsyeshme për përfshirje në korrupsion të zyrtarëve më të lartë të Agjensisë së Kthimit të Pronave. Kam firmosur kallëzimin që do e depozitojmë në SPAK”, tha Manja.

“Pas një hetimi të gjatë të kësaj njësie, zyrtarja më e lartë e Agjencisë së Trajtimit të Pronave,  drejtori i kompensimit financiar në këtë agjenci dhe një zyrtar tjetër, rezultojnë të implikuar në veprimtari abuzive përmes skemash abuzive, të cilat dyshohet fort se kanë prodhuar korrupsion domethënës”, tha Manja.

Janë dy skema të dokumentuara, përmes të cilave zyrtarët e lartë të Agjencisë janë përfshirë në korrupsion. Ish-pronarët i kanë shitur dokumentet tek sekserët, të cilët menjëheërë kanë aplikuar tek Trajtimi i Pronave dhe janë kompesuar 100% financiarisht, por edhe me prona në zona turistike. Më pas, edhe i kanë tjetërsuar këto prona tek familjarë të Agjencisë së Trajtimit rë Pronave”, shtoi ministri i Drejtësisë.

“Skema tjetër, në lidhje me kompensimin e ish-pronarëve, në pronën e të cilëve janë ngritur objekte që janë legalizuar. Skema e kompensimit financiar ndjek rendin kronologjik që vjen nga vendimet e Kadastrës. Por, nuk ndodh kështu. Ka ish-pronarë që presin nga 5 vjet për shuma qësharake, ndërsa nga ana tjetër ka ish-pronarë që janë kompensuar në shuma marramendëse, deri në 500 milionë lekë të vjetër, brenda 17 ditësh. I mbetet SPAK-ut të thellojë më tej hetimet”, theksoi ministri Manja.