Nga Red Varaku

Çmontimi i pushtetit të Ramës nisi vjet në janar me publikimin e përgjimeve nga Zëri i Amerikës, vazhdoi me djegjen e mandateve dhe me protestat më masive dhe më të gjata në historisë së pluralizmit. Kulmoi me përgjimet e BILD dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale.

Një strategji model që ia doli të ndërgjegjësonte, jo vetëm opinionin publik shqiptar, por edhe faktorin ndërkombëtar, i cili si në asnjë rast tjetër mori një vendim tejet radikal, bllokimin e integrimit dhe nëntë kushtet e Bundestagut .

Mesazhi ishte shumë i qartë, edhe pse shpesh bëjnë sikur nuk e kuptojnë. Perëndimi po i kërkonte Ramës të largohej me procedurë në mënyrë që vendi të vazhdonte procesin e integrimit.

Ndërkohë, kishin filluar bonuset për Opozitën dhe Lulzim Bashën, për përgjegjësinë që tregoi në 30 qershor , për shmangjen e përplasjes civile, e cila mund të degjeneronte deri në një luftë civile.

Për këtë maturi dhe përgjegjshmëri Lulzim Basha mori vlerësimin maksimal nga PPE, grupi i partive që po udhëheq Europën, për përgjegjshmërinë e treguar, e cila prodhoi dhe një rezolutë që reflektonte pikë për pikë të gjitha shqetësimet e Opozitës. Kjo rezolutë në fakt ishte një mbështetje e hapur për Opozitën shqiptare dhe personalisht Lulzim Bashën.

I ndodhur nën presionin e hapur amerikan dhe europian, të cilët njëzëri pranonin vjedhjen e zgjedhjeve dhe kërkonin Ramës arrestimin e autorëve të krimit elektoral, krijimin e Gjykatës Kushtetuese, për vlerësimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, dhe fillimin e punës për Reformën Zgjedhore , Edi Rama me anë të viktimizimit, edhe për shkak të një fatkeqësie natyrore si tërmeti, ia ka dalë ta shtyjë deri tani dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie tranzitore për zgjedhje të parakohshme.

Por, tashmë ai e di që kupa është mbushur dhe nuk e shtyn dot më fatin e tij. Duke parandjerë fundin dhe nën paranojën dhe frikën e demotimit të klanit të tij pas largimit nga pushteti , ai po investohet në puçin më të madh kushtetues, që tenton kapjen e Gjykatës Kushtetuese , si garanci për të dhe bandën e tij në pushtet.

Por, këtu duket se i ka hasur sharra në gozhdë. Përballë ka njeriun që ishte në të njëjtën ditë me të në SHBA në krah të Sekretarit të Departmentit të Shtetit, i cili duket se kësaj rradhe është i vendosur t’i shkojë deri në fund , mbase dhe si pasojë e fajit që ndjen për mbështetjen që i ka dhënë Ramës për tu bërë kryeministër, apo për miratimin e shtatë ligjeve, për të cilat Lulzim Basha e pati paralajmëruar.

Një arsye tjetër është se ai e ka të qartë zemërimin e madh që është akumuluar , i cili deri tani ka qenë i kontrolluar me shumë kosto nga Opozita dhe Lulzim Basha, por në dy mars , në rrugë do të jetë vetëm populli, dhe ky zemërim mund të kthehet në ekploziv që mund ta hedhë në erë.

Gjithashtu, mbështetja e madhe që ka gjetur thirrja e Presidentit, jo vetëm brenda Shqipërisë , por kudo në trojet shqiptare , sidomos në Kosovë dhe diasporë, për shkak të tradhtisë që Rama i bëri gjakut të derdhur për Kosovën në ivestimin e tij për ndarjen e saj dhe krijimin e Jugosllavisë së re, e ka trembur fort kryeministrin , sepse ai e di dhe e njeh fuqinë e strukturave ushtarake që mposhtën hienat paramilitare serbe.

Ndaj, nuk është çudi që bashkë me poturet ai ka bërë gati dhe pizhamat bashkë me penelin, se nuk i dihet se ku mund ta zërë mesnata e 3 marsit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu