Në vitin ‘90, akti më serioz i Shqipërisë që shënoi daljen përfundimtare nga diktatura ishte ratifikimi i Konventës së të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Këshillin e Europës. Dokumenti i të drejtave të njeriut rrëzonte përfundimisht imazhin e një vendi diktatorial me të burgosur politikë dhe hapte rrugën për ndryshimet e tjera në shoqërinë e vendit.

Më 24 mars 2020, qeveria e Edi Ramës, pa shumë bujë dhe gati në mënyrë sekrete, ka kërkuar nga Këshilli i Europës daljen nga detyrimet për zbatimin e kësaj konvente. Konkretisht, qeveria njofton Këshillin e Europës se për shkak të pandemisë së koronavirusit nuk mund të zbatojë nenet 8 dhe 11 të kësaj konvente.

Dy nenet në fjalë kanë të bëjnë me të drejtën e privatësisë, lirinë e individit pronën private dhe të drejtën për të protestuar paqësisht. Me pak fjalë, qeveria mund të  burgosë, mund të grabisë pronën dhe në fund të ndalon që të protestosh dhe të ngresh zërin. Lëvizja e qeverisë për shfuqizimin e këtyre ligjeve kaloi si një lajm i zakonshëm, kur në fakt kemi të bëjmë me një rrezik shumë më të madh se pandemia.

Konventa e të Drejtave të Njeriut u jep mundësi qytetarëve të prekur që nëse shteti i dhunon apo u vjedhë pronën, të ankohen në gjykatën ndërkombëtare. Heqja e këtyre neneve e kthen Shqipërinë në të njëjtën kohë para viteve ’90, kur shteti ishte vetëm Partia e Punës. Demokracitë perendimore vlerësohen mbi mënyrën sesi zbatojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, por nga 24 marsi, Shqipëria praktikisht nuk njeh më asnjë të drejtë për qytetarët e saj.

Për këtë skandal që lidhet me jetën e çdo qytetari shqiptar, përfshirë dhe ata që janë pjesë e “Rilindjes” së PS, ka reaguar ashpër ish-kryeministri Sali Berisha. Në një intervistë për “Syri.net”, Berisha deklaroi se kemi të bëjmë me aktin më të rëndë të 30 viteve pluralizëm në Shqipëri. Sipas tij, është koha që qytetarët të ngrihen dhe të reagojnë me protesta, sepse po rrezikohen të drejtat që përcaktojnë nëse një shtet është demokraci apo diktaturë.

“Qeveria shqiptare kryen aktin më të rëndë në Shqipërinë e 30 viteve të fundit dhe po tërhiqet sepse me aktet që ka bërë ajo është e vetmja qeveria që është ndëshkuar nga Këshilli i Evropës. Po tërhiqet sepse ka planifikuar kanabizimin e vendit. Po tërhiqet se ka shkelur çdo standard të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, në trajtimin brenda rregullave të pandemisë. Ky lajm përmban një kushtrim për shqiptarët të dalin në rrugë”,- deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha. Apeli i ish-kryeministrit i drejtohet qytetarëve, por në mënyrë direkte edhe opozitës.

“Nëse humbasin edhe Konventën, do vuajnë çmimin më të lartë në liritë e tyre. Forcat politike duhet të ngrihen me të gjithë potencën e tyre Kjo përbën një gjëmë të vërtetë për Shqipërinë. Me këtë Edi Rama heq çdo lloj maske”,- deklaroi ish-kryeministri.

Për shkak të pandemisë qytetarët kanë mirëkuptuar një pjesë të masave shumë të ashpra që ka marrë qeveria “Rama”. Për të shmangur fatkeqësinë, kanë toleruar dhe kapërcimet ligjore dhe tekat e kryeministrit që bën eksperimente sociale qytetarët. Media, pushteti i katërt në demokraci, kanë pranuar që kryeministri tu caktojë edhe sa veta duhet të ftojnë në studio. Ndërkohë sot ndodhemi para një tjetër hapi, me justifikimin e pandemisë qeveria po u heq të drejtën për lirinë dhe protestën dhe të drejtën për tu ankuar. Thirrja e Berishës për të protestuar në kohë pandemie mund të ngjajë e pazakontë, por çështja shtrohet se çfarë i ka mbetur më qeverisë për të bërë kundër qytetarëve? Heqja e lirive të Konventës na kthen në numra dhe jo në qytetarë të një vendi demokratik. Nga ana tjetër, apeli i ish-kryeministrit bie në kontrast dhe me linjën e butë që po mban opozita ndaj akteve të qeverisë. Partitë e opozitës kanë mbështetur shumicën e nismave të qeverisë, madje dhe kanë kërkuar para saj për marrjen e masave më efikase. Por teksa opozita po mban qëndrime të matura në interes të qytetarëve, qeveria shkon edhe më tej duke tejkaluar çdo kufi ligjor. Në emër të pandemisë nuk po luftohet virusi, por po cenohen të drejta që rrezikojnë seriozisht qytetarët. Shqipëria nuk ka sistem drejtësie funksional, nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka parlament legjitim që të ndalojë marrëzitë ligjore dhe së fundi nuk ka as mbrojtjen e Konventës së të Drejtave të Njeriut. Në këtë kaos shtetëror heshtja ndaj akteve të paligjshme të qeverisë është e rrezikshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu