Nga Poli Hoxha 
Në datë 29 Shkurt, ditë e shtunë, mbahet Kongresi i të ashtuquajturës ende; Partia Socialiste. Edhe ndonjë mëdyshje që qarkulloi në media, se ai mund të shtyhet me rastin e `koronavirusit`, u shua këtë të martë me vendosmëri nga Taulan Balla. Gati sa nuk tha, se nuk ka forcë në botë (koronavirus) që të ndal kongreset e partisë së tyre.

E vërteta është se nga ky tubim luksoz në Pallatin e Kongreseve, nuk pritet ndonjë risi sepse tashmë PS-ja, pas 17 vitesh përpunim në total dhe 7 vitesh në pushtet me modifikim gjenetik si në laboratorët e Wuhanit është kthyer në një mutacion, i cili e ka mbyllur ciklin e metamorfozës. Nga parti e qendrës së majtë me tendenca liberale siç e la Fatos Nano, në një organizatë okulte me emrin “Rilindje”.

Shndërrimi i PS-së në sekt dogmatik, ku udhëheqësi shpirtëror vetë flet, vetë lejon e ndalon duartrokitjet dhe sidomos, vetë vendos për gjithçka, tani është një “muhabet i mbyllur” dhe nga ky kongres nuk është se ka ndokush ndonjë pritshmëri. Gjithsesi me rastin e mbledhjes së tij, Ditmir Bushati, pas `vicklave` të shumta që hodhi pas shkarkimit si ministër i Jashtëm, në këtë vazhdë kishte përgatitur një fjalim “të fortë”, aq sa mund të quhet e fortë goditja e mureve të bunkerit në Surrel, me guralecë të hedhur nga llastiqe kalamajsh.

Por edhe këto “llastiqe” u eliminuan përpara Kongresit me rastin e emërimit të Bushatit, si i Dërguari Special i kryetarit Rama në zyrën qendrore të OSBE. Fjalimi i Bushatit u gris, por shpresat janë ende që një i mërzitur tjetër të sulmojë kriminalizimin e partisë së tyre, apo të paktën hedh ‘vickla’, përpara mijëra delegatëve dhe kamerave të shumta. Ky `virus` për të cilin Rama mendon se ende reziston, është një ish-ministër tjetër i flakur pa mëshirë prej tij dy vjet më parë, siç bënë sa herë ndjen e sheh, qoftë edhe rrezikun më të vogël; Fatmir Xhafaj.

Nëse Bushati bëri mëkatin që të mendonte në kokë të vetë dhe të gjermanëve për çështjen e ri-vizatimit të hartës së Kosovës, Xhafaj, mori ‘për kot’ në fund të vitit 2018 me operacionin e tij, Forca e Ligjit.

Në fund të muajit Tetor-2018 nën kujdesin personal të tij u arrestuan 24 persona, mes të cilëve edhe dy ish-deputetët e Partisë Socialiste, Arben Çuko dhe Arben Ndoka. Në atë periudhë Rama vuante nga paranoja se Xhafaj po merrte kontrollin e plotë të policisë, prokurorisë dhe organeve që po dilnin nga Reforma në Drejtësi ku është një nga autorët kryesorë. Gjithashtu vetë Xhafaj e kishte ushqyer veten dhe mediat, se ishte “njeriu i amerikanëve” e të tjera iluzione si këto, që karakterizojnë çdo ministër të Brendshëm në Shqipëri.

Nëse Edi Rama e kapërdiu arrestimin e Çukos me një status `dy gisht` ku shkruante, se `të gjithë janë të barabartë para ligjit`, atë të Arben Ndokës me heshtje totale, nuk mund të falte tentativën serioze të Xhafajt i cili duke përdorur fakte e përgjime nga e njëjta dosje, të vringëllinte prangat edhe për Vangjush Dakon.

Prandaj pas një ngrirje të marrëdhënieve, dy muaj më pas, në fund të muajit dhjetor 2018,  si dhe pas tre tentativave për `vetëvrasje` të cilat gjoja Rama nuk i pranonte, iku edhe Fatmir Xhafaj dhe mbijetoi `akullorja`, të cilën kreu i Rilindjes është i betuar ta mbajë në gjendje lëpirje edhe kur e shkrin Departamenti i Shtetit.

Menjëherë pas largimit si ministër, Xhafaj, foli për ligësi dhe se tashmë është një “njeri i lirë dhe vetvetja”. Ndërkohë pak orë më herët në një tubim në Lushnje, kryeministri Rama kishte thënë diçka më shumë nga e vërteta: `Njerëzit e lirë në një parti që qëllojnë me gurë shtëpinë e tyre, duhet të largohen`!

Xhafaj nuk u largua nga partia sepse ndërpreu apo moderoi hedhjen e gurëve publikisht, por frika se ai përfaqëson një klan që punon nën rrogoz kundër udhëheqësit, Ramës nuk i është hequr kurrë.

Në kongresin e të shtunës, Xhafaj, pritet që të mbajë një fjalim “ndryshe”. Që ai nuk ka harruar, u duk edhe në seancën parlamentare të 12 shkurtit, ku u votuan disa ndërhyrje dhe ndryshime në Reformën në Drejtësi në funksion të aktit normative, `Anti-Kçk`. Ishte i vetmi zë me doza kritike, ndaj propozimeve të qeverisë dhe kryeministrit Rama.

`Kur ndryshojmë ligjet duhet të jemi shumë të kujdesshëm…Sepse ndryshe ne mund të synojmë t`ju vëmë vetulla mekanizmave të caktuar apo institucioneve të sapo ngritura, por mund t’i prishim sytë reformës në drejtësi çka do të ishte me pasoja afatgjata”, tha ish ministri i Brendshëm.

Me pak fjalë, aq sa ja lejojnë interesat personale që ka me Rilindjen, Fatmir Xhafaj në mënyrë “diplomatike” pak a shumë na konfirmoi, se Edi Rama nëpërmjet akteve e ligjeve speciale siç është ky i `Anti-KÇK` dhe të tjerë, po `i prish sytë` Reformës në Drejtësi duke e shndërruar atë në një “qorre` të komanduar nga ai vetë.

Kujtojmë se lajmet për një luftë të brendshme mes `dy klaneve` brenda PS-së, prej kohësh dalin e shuhen, në varësi të zhvillimeve në vend dhe veçanërisht në funksion të betejave të nëndheshme për influenca. Kongresi i pas 3 ditëve, do të ishte edhe prova më e qartë dhe përfundimtare, nëse vërtet ka shpresa e gjasa për ndonjë vaksinë kundër “Rilindjevirusit` brenda PS-së.

Por ka një zhvillim të orëve të fundit, i cili me shumë gjasa do të grisë edhe fjalimin e Xhafajt. Mëngjesin e të martës, pas publikimit privat të një liste nga gazetari, Elton Qyno, të cilin e detyruan që ta fshijë më pas nga faqja e tij në Facebook u mësuan emra interesant të cilëve OFL do tu dërgojë formularin e pasurisë në ditët në vazhdim. Pas kësaj `Syri.net`, mësoi se përplasja e këtyre `klaneve` brenda PS-së është riaktivizuar shumë fortë, si kurrë më parë.

Dhe kjo luftë nuk ka plasur, për çështje parimore dhe për alarmin se ku po shkon PS-ja dhe e majta në përgjithësi. Me këto është mbushur, fjalimi ende në tentativë i Xhafajt i cili ka shumë pak gjasa që të shohë dritën. E vërteta është se në listën në fjalë, e cila ende nuk është zyrtarizuar nga policia, gjendet edhe emri i vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Agron Geron Xhafaj, i cili aktualisht po vuan dënimin si trafikant droge në Itali. Problemi nuk është “pasuria” e Agron Xhafajt, sepse ai ka ditur ta sistemojë atë me kohë, por verifikimi i `palëve të treta`, që parashikon akti normative i Ramës. Dhe këto `palë të treta` që duhet të kalojnë në sitë janë veçanërisht Fatmir Xhafaj dhe një drejtor i fuqishëm në krah të Erion Veliajt në bashkinë e Tiranës, të cilët si rreth familjar të Agron-Geronit, duhet tu verifikohet pasuria “cent për cent”. Pra nëse Bushatit ja mbylli gojën me karotën, për Xhafajn duket se Rama ka zgjedhur shkopin.

Kurse për Pandeli Majkon, për të cilin disa socialistë të mbetur iluziv dhe kanë ende pritshmëri thonë, se nga mëngjesi deri në darkë ju lutet familjarëve dhe miqve: Mbamëni se do ti bie aq fortë Ramës, sa që…!

Në fakt asgjë nuk ka për të ndodhur me pasuritë e Xhafajve, njësoj si me ato të miqve të Dakos e të të tjerëve; ta lexon apo nuk ta lexon emrin biondja bukuroshe me syze të errëta.

Sepse Anti-kçk-ja nuk është një topuz, që rri vetëm në ajër si shantazh. As thjesht një inventarizim i pasurive të asaj pjese të krimit të organizuar i cili prej kohësh është i skeduar dhe Rama e di, se ai gjithmonë kur nuhat ndërrim pushteti `e dredh bishtin`. Është gjithashtu, edhe një `shkop` për të gjithë ata brenda PS-së, që hedhin vickla herë pas here.

Prandaj mos prisni që të ndodh ndonjë çudi, në Kongresin e 29 Shkurtit. Aq kompakt dhe i modifikuar është “rilindjevirusi`, sa që as koronavirusi nuk do të guxonte ta sulmonte!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu