Gati çdo muaj nga kryebashkiakët e Partisë Socialiste të zgjedhur me votimet moniste të 30 qershorit ka ndonjë zhvillim të ri kriminal. Nuk bëhet fjalë për investime apo projekte që kanë të bëjnë me qytetarët, por për bëmat dhe shkeljet ligjore të emëruarve nga Rilindja. I fundit është kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, i cili sipas gazetari investigativ Artan Hoxha “shfaqet në një video duke konsumuar kokainë në një lokal”.

Gazetari thotë se video është realizuar pas votimeve të 30 qershorit dhe sipas tij, Alla ka mundesi të ketë qenë duke festuar me miqtë fitoren e mandatit të kryebashkiakut të Bulqizës. Akuzat për përdorim droge janë hedhur poshtë nga Lefter Alla i cili ka cilësuar videon si një montazh dhe shantazh për shkak të detyrës. Struktura e Posaçme Anti Korrupsion (SPAK) ka nisur hetim pas publikimit të videos dhe kjo duket se do të jetë çështja e parë me të cilën do të “pagëzohen” institucionet e reja të drejtësisë. Pa u dhënë një vendim gjykate, Lefter Alla nuk mund të akuzohet, përderisa edhe vetë pretendon se nuk është ai personi që thithë kokainë në banak.

Por pa i hyrë fare çështjes së fajësisë apo pafajësisë së tij, fakti është se shqiptarët vetëm pas një videoje morën vesh se si quhej kryebashkiaku i ri i zgjedhur nga PS në Bulqizë. Çështja e Lefter Allës bëri që të harrohej një tjetër histori skandaloze nga bëmat e kryebashkikëve Rilindjes. Pak ditë më parë, buletini i agjencisë së tenderave në Ministrisë së Brendshme tregonte se kompanitë private të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku vijonin të merrnin tendera dhe para nga buxheti i shtetit. Që nga data 10 nëntori Kajmaku është shpallur në kërkim policor, pasi rezultoi të kishte fshehur një dënim në Greqi. Sipas ligjit, një person që rezulton i dënuar dhe aq më pak i shpallur në kërkim policor nuk mund të marrë pjesë në tendera shtetëror. Por kompanitë e tij kanë marrë kontrata dhe para edhe pasi Agim Kajmaku u zhduk nga zyra në drejtim të paditur, bashkë me vulën e kryebashkiakut.

Lista e kryebashkiakëve problematikë të PS nuk përfundon me kaq. Partia Demokratike denoncoi në fillim të muajit janar kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj për fshehje të një dënimi në Greqi. Po këtë muaj, Agron Malaj kryebashkiaku i PS-së në Mat u denoncua nga PD për fshehje të një dënimi për armëmbajtje pa leje. Lista vijon me Mark Babanin, kryebashkiak në Vaun e Dejës, i cili po ashtu, sipas Partisë Demokratike me një tjetër identitet është arrestuar në Itali për vepra të ndryshme penale. I vetmi nga kryebashkiakët e PS që pranoi se nuk kishte deklaruar një arrestim në Itali ishte Valdrin Pjetri, i cili hoqi dorë nga mandati në Shkodër. Valdrini u tregua kur dha dorëheqjen në shenjë civilizimi.

Ndërsa të tjerët, të cilëve u kanë dalë problemet e fshehura ligjore dhe që nuk i kanë pasqyruar në formularin e dekriminalizimit, vazhdojnë të pretendojnë se janë të pafajshëm. Që nga marrja e mandatit pas zgjedhjeve një partiake të 30 qershorit, njerëzit që zgjodhi Rilindja për të drejtuar pushtetin janë lajmi i parë vetëm për skandalet dhe të kaluarën e tyre problematike. Në media janë publikuar 6 raste me emra konkretë, ndërkohë që Partia Demokratike thotë se janë të paktën edhe 10 të tjerë do të publikohen javët dhe muajit në vijim. Një shifër kaq e lartë njerëzish që kanë probleme me ligjin të krijon përshtypjen se Rilindja nuk zgjodhi më 30 qershor kryebashkiakë, por një bandë. Situata bëhet më e rëndë, pasi në 30 qershor nuk pati zgjedhje reale dhe këdo që të kishte caktuar kreu i PS-së për kandidat do të ishte zgjedhur. Dhe kur kishte mundësi të vendoste këdo, përse dora shkoi dhe i kapi ata që ishin me problematikët më ligjin?

Sigurisht ata që morën mandatet edhe me dosjen penale të fshehur kanë arsyet e tyre përse zgjodhën këtë mënyrë, por problemi nuk është më personal, por i PS-së. Gjithë telashet ligjore të kryebashkiakëve sot turpërojnë socialistët ose ata që kanë mbetur ende të tillë. Partia që dikur mburrej se vendoste në postet drejtuese profesorët, inxhinierët, mësuesit dhe intelektualët, sot është kthyer në partinë që sot voton të dënuarit, hajdutët, trafikantët, ata që janë në kërkim policor dhe përdoruesit e kokainës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu