Sic dihet deri në datën 1 prill Bordi i Transparencës vendosi që nafta të tregtohet me çmimin 245 lekë. Mirëpo qytetarët nuk pritën ditën e parë të muajit të ardhshëm për të parë se cili do të jetë vendimi i radhës i Bordit dhe kanë lajmëruar protestë për ditën e nesërme, e martë 29 mars.

Vendi është i zakonshmi, te Kryeministria. Thirrja është shpërndarë masivisht në rrjetet sociale me pritshmëritë që edhe prania në shesh të jetë po aq masive.

Në përfundim të protestave që zgjatën 8 ditë, çmimi i naftës shkoi në 203 lekë/litër, një rënie e konsiderueshme duke marrë parasysh se shkoi në thuajse 300 lekë për litër (saktësisht 290).

Pasi në vend ra qetësia, Bordi i Transparencës rriti gradualisht çmimin e karburanteve deri në 245 lekë/litër që është sot (nafta).

Megjithatë, edhe pse me rritjen e protestës u ul çmimi i naftës, në fakt kjo nuk përmbushte të gjitha kërkesat e protestuesve. Ndër to ishte edhe pezullimi i TVSH-së për produktet e shportës, heqja e akcizës për naftën, ngritje të mazhit të fitimit për kompanitë e hidrokarbureve, paketë për qytetarët në nevojë dhe hetim për koncesionet dhe abuzimet në treg etj.

Në përgjigje të këtyre kërkesave, qeveria kishte vendosur përballë Paketën e Rezistencës Sociale, që me ironi u quajt nga protestuesit edhe si “paketë cigaresh të hapura”.

Protesta e ditës së martë e ka vënë në heshtje qeverinë deri tani. Ndryshe nga zakonisht, kryeministri Edi Rama nuk ka lajmëruar ende ndonjë dalje të papritur në mediat sociale, rastësisht në të njëjtin orar me protestën.

Nga ana tjetër, edhe “show” i qeverisë me deputetët-inspektorë nëpër markete, duket se nuk i ka impresionuar shumë qytetarët.

Në këto rrethana, pritet një pjesëmarrje e konsiderueshme. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse protesta do të kthehet sërish në një zakon të përditshëm dhe si do të reagojë qeveria.