Nga Elton Qyno

Gjykata e Apelit Vlorë ka vendosur të rrëzojë vendimin e gjyqtarit Enkel Peza, i cili në 3 Mars 2022 vendosi të pushonte akuzat penale ndaj 13 zyrtarëve të kadastrës në këtë qytet.

Çështja e kompleksit “Ambel Beach” në Dhërmi, është një nga dosjet më të nxehta në prokurorinë e Vlorës, ku janë të implikuar zyrtarë të hipotekës, ALUIZNI-it, si dhe biznesmeni Helidon Gjikoka.

Vendimi për futjen në gjykim të çështjes me zyrtarët e pandehur të administratës, është marë nga gjyqtarja, Iliba Bezati, e cila konstatoi të paligjshëm vendimin e Enkel Pezës, për të pushur akuzat për pjesën më të madhe të pandehurve.

Gjyqtarja me integritet Bezati meriton vlerësimin e opinionit publik dhe të mediave, pasi ka marrë një vendim kundër mafies së pronave.

Në vendimin e saj të datës 12 korrik 2022 gjyqtarja Bezati ka urdhëruar të kthejë dosjen për gjykim për të pandehurit, Helidon Gjikoka, Arition Kasaj,të akuzuar për “Mashtrim” dhe “Falsifikim dokumentash”.

Të pandehur për “Shpërdorim detyre” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” janë marë dy ish-drejtori i ALUIZNI-t në Vlorë, Ardian Musta dhe shefi përgjegjës i legalizimeve, Adiseldo Rrapaj.

Gjithashtu sipas vendimit të Apelit Vlorë, nën akuzë për mashtrim dhe falsifikim dokumentash, është marë dhe avokati, Arition Kasaj.

Për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” është marë e pandehur dhe Krupskaja Gjika, dhe zyrtarja tjetër Mimoza Rrushani.

Enida Bukuroshi dhe Jonida Hallvaxhiu janë dy punonjëse të tjera që akuzohet për “Shpërdorim detyre” dhe shumë shpejt pritet ti nënshtrohen procesit gjyqësor.

Ndërsa Denis Metaj, Ermal Mahilaj, Andi Haxhiaj, Erdet Mandi dhe Arbër Jaupaj janë marë të pandehur për akuzën e “Falsifikimit të dokumentave”.

Njëherësh gjyqtarja Iliba Bezati, ka rivendosur sërisht masën e sekuestrimit të kompleksit turistik “Ambel Beach”, masë e cila ishte hequr nga gjyqtari i shkallës së parë, Enkel Peza.

Hetimi për këtë rast të abuzimit me detyrën, me qëllim tjetërsimin e pronave, fillimisht nisi në prokurorinë e Tiranës dhe më pas dosja u transferua në prokurorinë e Vlorës.

Çështja penale, flet për tjetërsimin e pronave në fshatin Dhërmi, aty ku është ndërtuar kompleksi turistik “Ambel Beach”, që momentalisht administrohet nga Helidon Gjikoka.

Bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 1430 m2 me vendodhje në zonën “Perivollo” në vijën e parë të bregut të detit, e cila rezulton e përfituar sipas ligjit 7501 nga shtetasi Ahilea Koka.

Më pas ky i fundit në gusht të vitit 2007, ja ka dhuruar me testament për përdorim shtetasve Ilir Koka dhe Marko Koka, të cilët janë vëllezër së bashku.

Marko, ka ndëruar jetë disa vite më parë duke lënë amanet tek i vëllai për të ndjekur ligjërisht vjedhësit e pronës së tyre.

Hetimi ka provuar se mbi pasurinë me nr. 36/9 që zotërohet nga Ilir Koka, ky i fundit ka ndërtuar disa kabina pushimi dhe që më pas janë marë me qëra prej kushëririt të tij, Helidon Gjikoka, nga qyteti i Vlorës.