Presidenti Ilir Meta ka kthyer sot për rishqyrtim në Kuvend marrëveshjen për administrimin e Parkut të Butrintit. Në dekretin e firmosur nga kreu i shtetit, Meta thotë se kjo marrëveshje cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës.

Arsyet e rikthimit të marrëveshjes:

-Cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës;

-Cenon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në preambulën e Kushtetutës, duke cenuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar;

-Cenon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO;

-Bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;

-Praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij;

-Procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje;

-Shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare lidhur me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre;

-Për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Evropian.