Arrestohet gjenerali italian që ka luftuar parcelat me kanabis në Shqipëri.

Ros of Napoli ka arrestuar sot 5 persona të rëndësishëm në kuadër të hetimeve kundër korrupsionit të koordinuara nga prokurori. Mes të tjerëve në pranga kanë përfunduar Roberto Penna, zv/prokuror në Salerno dhe partnerja e tij, avokatja Maria Gabriella Gallevi.

Ata akuzohen për vepra të ndryshme si korrupsioni për ushtrimin e funksioneve, korrupsioni për një vepër në kundërshtim me detyrën zyrtare, korrupsioni në aktet gjyqësore dhe nxitja e padrejtë për të dhënë ose premtuar përfitime.

Arrest shtëpiak iu njoftua edhe sipërmarrësve Francesco Vorro, Umberto Inverso dhe Fabrizio Lisi, ky i fundit ish-gjeneral i Policisë së Guardia di Finanzia. Gjyqtari hetues i Napolit ka firmosur masën e paraburgimit.

Gjeneral Lisi është i lidhur me Shqipërinë në disa faza, që nga viti 1997 kur ai ka treguar se erdhi me mision, më pas në operacionet e monitorimit të parcelave me kanabis dhe së fundmi për një “dhuratë” që fondacioni i tij mori në Vlorë nga një person i akuzuar për trafik droge. Po ashtu, edhe në vitin 2005, pjesëmarrës në një takim me kryeministrin e asaj kohe, Sali Berishën, teksa shoqëronte ish –drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Italiane, Giuseppe Fera.

Vitet e fundit të karrierës së tij, Lisi vërtet ka qenë në Shqipëri për të bashkëpunuar me policinë shqiptare. Shqetësim kryesor ishte kanabizimi i vendit dhe Guardia di Finanza mori përsipër të monitoronte cep më cep territorin shqiptar.

Nën qeverinë “Rama 1”, Lisi ishte i angazhuar në operacionet e Guardia di Finanza në zbulimin e parcelave me kanabis. Në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri dhe vendi u përmbyt nga kanabisi.

Guardia di Finanza publikoi një raport në të cilin thuhej se 99.8% e kanabisit në vendin tonë ishte shkatërruar. Gjenerali italian u vu nën akuzë nga ish –shefi i antidrogës, Dritan Zagani. “Një pyetje që do marrë shpejt përgjigje publike me dokumente te provuara, kush është ura lidhëse mes narkotrafikanteve dhe gjeneralit Lisi, kush është ky njeri që me forcet e tij e si hije e zezë ka një rol kyç për gjitha lidhjet e mafies me politikën rilindase dhe liderin e drogës ..! Dhe ta mendosh që unë dhe çështja ime isha një “hiç” për këta të plotfuqishëm mafioze me kollare…!” shkruante Zagani, pas dokumentarit të Rai Tre, ku flitej për pronat e Fabrizio Lisit në Shqipëri.