Pas miratimit të djeshëm nga Parlamenti i Shqipërisë të të ashtuquajturit “Paketa Anti-shpifje”, pavarësisht protestës dhe kundërshtive të komunitetit të gazetarëve në vend, vjen edhe reagimi i fortë i Grupit më të madh politik në Parlamentin Europian, PPE.

Michael Gahler, Koordinator i Partive Popullore Europiane për Punët e Jashtme, shprhet se, ky ligj u votua në kundërshtim me rekomandimet e bashkësisë europiane.

“Ne vërejmë me shqetësim të thellë që shumica parlamentare e qeverisë shqiptare e udhëhequr nga Kryeministri socialist miratoi dy ligje për median dje në kundërshtim të hapur me rekomandimet specifike të bashkësisë ndërkombëtare. Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës, si dhe media dhe organizata shqiptare dhe ndërkombëtare të shoqërisë civile kishin shprehur kundërshtime të forta kundër këtyre ligjeve.

Ne vërejmë se anëtarja jonë e PPE-së, Partia Demokratike, shprehu rezistencë të fortë kundër miratimit të këtyre ligjeve dhe mbështet rekomandimet evropiane dhe ndërkombëtare”, shprehet zyrtari i PPE.

Ndërsa David Lega, Raportuesi i PPE-së për Shqipërinë, paralajmëron:

“Liria e mediave dhe e drejta e informacionit janë liritë themelore në Evropë dhe një pjesë e domosdoshme e kritereve të Kopenhagës për anëtarësimin në BE. Legjislacioni i miratuar kërcënon këto liri që janë fituar kohë më parë nga populli shqiptar. Media e lirë ka qenë një reporter i vazhdueshëm i abuzimit të pushtetit dhe ka ekspozuar shumë skandale korruptive. Miratimi duhet të shihet si një kthim serioz për Shqipërinë në rrugën e saj drejt sundimit të ligjit dhe demokracisë. Ky vendim, siç e thamë publikisht përpara votimit, mund të ketë një ndikim negativ në hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE për Shqipërinë – në të cilën Grupi i PPE beson fuqimisht. Ne i nxisim autoritetet shqiptare të rishqyrtojnë vendimin dhe ta zhbëjnë atë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu