Avokati i Popullit ka dërguar në Gjykatën kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e një neni i cili i jep të drejtë Policisë së Shtetit të ndjek dhe përgjojë çdo qytetar që ajo e shikon ‘të arsyeshme’, edhe pa një vendim gjykate dhe madje edhe pa dijeninë e prokurorisë.

‘Institucioni i Avokatit të Popullit i ka dërguar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e një neni të ligjit ‘Për Policinë e Shtetit’ që lidhet me dhënien Policisë të disa kompetencave që lidhen me veprimtari informative gjurmuese të qytetarëve në rrethana të ndryshme.

Avokati i Popullit konstatoi dhe vlerësoi se neni 8 i ligjit nr. 133/2020 ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’, të ndryshuar’ vjen në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe atë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Përmbajtja dhe zbatimi i këtij neni cenon rëndë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut e krijon premisa që ta kthejë Policinë e Shtetit në një organ që mbikëqyr e gjurmon qytetarët jashtë një procesi penal dhe kontrollit të organeve kompetente.

Gjithashtu ai cenon dhe eleminon garancitë kushtetuese dhe mjetet ligjore të mbrojtjes së individit, si kontrollin gjyqësor, kufijtë e përgjimit, mbikëqyrjes e gjurmimit dhe kohëzgjatjen e aplikimit të këtyre masave si dhe detyrimin e strukturave të Policisë së Shtetit për asgjësimin e të dhënave të mbledhura.

Për këto arsye të qenësishme Avokati i Popullit iu drejtua Gjykatës Kushtetuese më 18.02.2021 me kërkesë për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe KEDNJ, të nenit të sipërpërmendur; si dhe pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të këtij neni’, thuhet në njoftimin e fundit që vjen nga Avokati i Popullit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu