Policia e Shtetit ka bërë bilancin e operacioneve të kryera brenda harkut kohor të një jave.

Në javën që sapo po lemë pas janë arrestuar 223 persona, janë proceduar penalisht 291, si dhe janë shpallur në kërkim 33 të tjerë, të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se në mesin e arrestuarve janë edhe 31 persona të shpallur në kërkim, 29 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar.

Njoftim i Policisë së Shtetit:

Policia e Shtetit në një javë/Kontrolle blic, operacione policore, reagim në kohë dhe bashkëpunim me qytetarët.

Në përmbushje të objektivave dhe prioriteteve, Strukturat e Policisë së Shtetit edhe gjatë kësaj jave kanë vijuar kontrollet blic dhe operacionet policore për kapjen e personave në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, për goditjen e armëmbajtjes pa leje, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta, për goditjen e krimeve mjedisore dhe krimeve ekonomike. Njëkohësisht vijojnë kontrollet, duke përdorur teknologjinë, për parandalimin e aksidenteve rrugore.

Në të gjithë vendin, përgjatë javës janë arrestuar 223 persona, janë proceduar penalisht 291 persona dhe janë shpallur në kërkim 33 persona, për vepra të ndryshme penale.

Janë kapur 31 persona të shpallur në kërkim, nga këta 29 në kërkim kombëtar dhe 2 në kërkim ndërkombëtar.

Janë zhvilluar 17 operacione policore të koduara, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve ndaj jetës dhe pronës, armëmbajtjes pa leje, kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit dhe lojërave të fatit, konkretisht operacionet:
“Akrepi i natës”, “Xhamat e errësuar”, “Gasoline”, “Përsëritësi”, “Elektroniks”, “Parandalimi”, “Noterja”, “Përsëritësit”, “Sukthi”, “Gjashta”, “Trinom”, “Epilog”, “Rrjetet sociale”, “Basti i fundit”, “Baofeng”, “Ndalesa” dhe “Brothers”, në kuadër të të cilëve janë arrestuar 58 persona, janë proceduar penalisht 5 persona dhe janë shpallur në kërkim 6 persona.

Po në kuadër të këtyre operacioneve janë sekuestruar 6 armë zjarri (kallashnikov, pushkë e pistoleta), 2 armë gjahu, 6 armë të ftohta, 2 armë sportive, një sasi kokaine, kanabis, shuma parash e sende të tjera të kundërligjshme.

Janë evidentuar dhe goditur 48 raste të krimeve mjedisore, për të cilat janë arrestuar në flagrancë 8 persona dhe janë proceduar penalisht 40 persona.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 43 raste, janë arrestuar 35 persona, janë proceduar 24 persona dhe janë shpallur në kërkim 3 persona.

Janë arrestuar 15 persona, 16 janë proceduar penalisht dhe 1 është shpallur në kërkim, për dhunë në familje.

Në fushën e krimit ekonomik e financiar janë evidentuar 27 raste, për të cilat janë arrestuar 14 persona, janë proceduar 25 persona dhe 1 është shpallur në kërkim.

Po gjatë javës janë evidentuar 7 raste të kundërshtimit të punonjësve të Policisë. Për këto raste janë arrestuar 5 persona, ndërsa 7 të tjerë janë proceduar penalisht.

Në fushën e qarkullimit rrugor janë pezulluar 402 leje drejtimi, nga të cilat 257 për shpejtësi tej normave të lejuara, 106 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, dhe 39 për qarkullim në sens të kundërt.

Janë arrestuar 67 persona, 46 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, dhe 21 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia e Shtetit është e vendosur të godasë me forcën e ligjit, krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, për të krijuar një ambient të sigurt për qytetarët dhe të pasigurt për krimin, dhe në këtë kuadër fton sërish qytetarët për të denoncuar në 112 e në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë, duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.