Operacioni i koduar policor, “Perimetri”, është shtrirë në të gjitha pikat kufitare të vendit. Së fundmi, njoftohet se policia ka vendosur në pranga tre persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi po transapotonin 22 emigrantë të paligjshëm.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me strukturat e SHÇBA-Korçë, Policinë Kufitare dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur dy raste të tjera të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit si rezultat i të cilëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve E. Z., 39 vjeç, banues në fshatin Pirg, Maliq; E. T., 19 vjeç, banues në Tiranë; A. T., 40 vjeç, banues në Bulqizë dhe u shpall në kërkim shtetasi A. Ç., 20 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq.

Shërbimet e policisë kanë konstatuar në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Grabovicë, Pogradec, shtetasin E. Z., duke transportuar me mjetin kamion tip “Benz”, 16 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga veprimet hetimore të mëtejshme dyshohet se edhe shtetasit E. T. dhe A. T., janë bashkëpunëtorët e 39-vjeçarit në këtë veprimtari të paligjshme, pasi u kapën me mjetin tip “Audi”, duke kryer mbikëqyrjen e rrugës.

Gjithashtu në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë fshatit Gështenjas, Pogradec, është konstatuar mjeti tip “Opel”, me drejtues shtetasin A. Ç., 20 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq, të cilit shërbimet e policisë gjatë ndjekjes, i kanë bërë me shenjë të ndalonte, por ky shtetas është larguar me shpejtësi, duke mos iu bindur urdhrit të tyre dhe ka braktisur mjetin, me 6 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 1200 euro secili, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga ana e policisë, po punohet për kapjen e tij dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik””, njofton policia.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu