Paketa anti-shpifja ka përçarë Partinë Socialiste. Para nisjes së seancës plenare, grupi Parlamentar i PS ka zhvilluar një mbledhje, ku ka pasur debate mes ish-ministrit Ditmir Bushati dhe deputeti Taulant Balla.

Sipas burimeve nga mbledhja, Bushati ka qenë kundër paketën anti-shpifje, duke thënë se ky ligj cënon të drejtën e fjalës dhe lirinë e shprehjes.

Bushati, shtojnë të njëjtat burime, ka qenë katëgorikisht kundër ligjit duke thënë se nuk duhet të votohet, pasi bie ndesh dhe më Këshillin e Evropës. “Po nxitohemi me këtë ligj që po bëjmë”, mësohet të jetë shprehur ai.

Por nga ana tjetër Balla e ka mbrojtur ligjin, dhe ka thënë se ligji nuk ka kundërshtime nga ndërkombëtarët, por është i dakordësuar me ta dhe do miratohet varianti i përmirësuar.

Pak ditë më parë Komisioni i Ligjeve, miratoi në parim paketën e cila do të kalojë në Kuvend më 18 dhjetor, me disa ndryshime të papërfillshme, siç është përzgjedhja përmes konkurrimit, e Bordit të Ankesave, një këshill i cili do të ketë fuqi për të gjobitur dhe mbyllur portalet. Ndërkohë që tek “Media”, anëtarët vendosën të ulnin gjobën për portalet në maksimumi 4 milionë lekë të vjetra, por socialistët janë tërhiqur dhe nga ekzekutimi i gjobës para vendimit të gjykatës.

Është kjo një nga pikat më të nxehta të paketës anti-shpifje, e njoftuar prej 2 vitesh nga Rama, me arsyetimin se mediat online duhet të funksionojnë në bazë të rregullave. Komuniteti i gazetarëve, intelektualëve dhe organizatat në mbrojtje të të drejtave të njeriut, kanë dalë kundër draftit, pasi sipas tyre bie në kundërshtim me Konventën për të Drejtat e Njeriut. Me këtë paketë, Shqipëria bëhet vendi i parë në Evropë që gjobit gazetarët me vendime administrative, dhe i jep fuqi të plotë AMA-s, si një gjykatë për mediat.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu