Nga Mili Xhani

Kur kanë mbetur dhe dy ditë nga dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë, brenda Rilindjes kanë nisur spastrimet, lufta e bërrylave mes grupimeve të pushtetit dhe “prerjet e kokave”.

Në mënyrë mjeshtërore, Edi Rama ka nisur propagandën me afrimet e disa personazheve si mjekja Najada Çomo dhe inxhinierja Luljeta Bozdo.  Por krahas këtij operacioni mediatik, në PS ka nisur fushata e largimeve në masë të njerëzve që Edi Rama nuk do t’i ketë më në parti dhe nëpër këmbë për pazaret e tij. Largim i parë që befasoi dhe gjithë socialistët ishte ai i profesores së drejtësisë, Vasilika Hysi. Përjashtimi i saj nga PS u bë në një formë që ka ngjallur dhe irritim brenda radhëve të PS. Pavarësisht se Hysi tha se ka dhënë dorëheqjen, shumë në PS besojnë se ajo u përjashtua nga Edi Rama e nuk i dha as mundësi që ta njoftonte ajo vetë largimin nga PS.

Largimi i Hysit është një nga ato veprime që nuk shpjegohet dot në PS, për faktin se juristja e njohur e ardhur nga shoqëria civile ishte dhe një nga hartueset e reformës në drejtësi. Derisa Edi Rama thotë se reforma në drejtësi është një sukses i PS, si ka mundësi që largon nga politika një prej hartuesve të saj dhe njohësve më të mirë të ligjeve në PS? Pas largimit të Vasilika Hysit dje u njoftua një tjetër dorëheqje. Besnik Baraj deklaroi se ka vendosur që edhe ai tu hapë rrugën të rinjve në PS, ndërkohë që Rama futi një stërgjyshe dhe një gjyshe.

Në një status të gjatë në Facebook, Baraj thoshte se i uronte PS suksese në zgjedhje, por mes rreshtave lexohej zhgënjimi dhe mesa duket edhe largimi i ti është si ajo e Vasilika Hysit, përjashtim me “dorëheqje”. Lufta më e madhe mes grupimeve afër Edi Ramës në PS po bëhet në Tiranë, ku është dhe lista më e madhe e deputetëve. Kandidimi i Ditmir Bushatit është ende në pikëpyetje për shkak të kritikave që ka bërë ndaj Edi Ramës. Ndërkohë që grupi afër Ramës në PS ka vendosur në shënjestër dhe ish-ministrin Fatmir Xhafaj.

Ajo që ka shkaktuar panik në PS është fakti se emrat që po largohen janë ata më pak të përfolur për afera dhe që nuk kanë akuza direkte për korrupsion. Ndërsa në Tiranë deputetët e PS po “dorëhiqen” një nga një, në Vlorë kanë nisur sherret mes deputetëve të Edi Ramës dhe të zgjedhurve vendorë. Kryebashkiaku Ditan Leli është vënë para presionit nëse do të largohet nga drejtimi i bashkisë përfundimisht apo do të kandidojë si deputet në 25 prill. Në vend të tij është programuar që të jetë kryebashkiak ish-drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro, i cili ka përvojë në projektet e rrugëve si ai i Unazës së Re, ku një kilometër kushtoi 20 milionë euro.

Ndërkohë në Berat listat e kandidatëve të PS, pas entuziazmit të blerjeve të dy ish-deputetëve të LSI është totalisht e përçarë. Edi Ramës i duhet të përjashtojë ose të detyrojë të dorëhiqen dy deputetë dhe ish-ministrat të tij në këtë qark, për tu hapur vendin në krye të listave emrave që erdhën nga LSI. Rezulton se nga shtim në elektorat që prishte PS, afrimi i ish-deputetëve të LSI ka krijuar më shumë përçarje brenda radhëve të PS, të cilët ndjehen të përjashtuara nga vendimmarrja dhe nga kandidimet. Deri në mbrëmjen e 8 marsit kur do të dorëzohen listat, pritet që të ketë dhe shumë deputetë dhe ish-ministra që do të njoftojnë dorëheqjet e detyruara nga PS.

Edi Rama po përgatit listën deputetësh për në opozitë që të mos e kundërshtojnë apo të kërkojnë me vonë largimin e Ramës si kryetar i PS.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu