Gjykata e Gjirokastrës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Admir Golemin. Ky i fundit është shoferi i ambulancës që përplasi për vdekje 10-vjeçarin Samuel Ndoji, në afërsi të pikës kufitare të Kakavijës.

Gjatë seancës gjyqësore, Golemi deklaroi se po ecte me shpejtësi prej 75km/orë, pasi po çonte në spital në një sëmurë. Ai nënvizoi se fëmija i preu rrugën.

“Po nxitoja për të çuar në spital të sëmurin, fëmija më preu rrugën. Më doli furishëm nga krahu i majtë i rrugës. Isha duke ecur me 75 km/orë”, ka thënë ai para togave të zeza.

Ndërkohë, avokati i të pandehurit Çlirim Rabaj u shpreh se klienti i tij ka qenë brenda normës së shpejtësisë së lejuar dhe se për këtë fakt ai veçse ka zbatuar rregullat e vendosura. Ndonëse deklarimet e të pandehurit u dëgjuan,  gjyqtarja Blerta Çibuku vendosi për ta lënë në qeli shoferin.

Më 15 gusht, 10-vjeçari Samuel Ndoj u përplas për vdekje nga një autoambulancë në aksin Kakavijë-Gjirokastër, teksa priste në radhë për të kaluar kufirin. Pas përplasjes i mituri ndërriu jetë në vend. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se fëmija ishte anës rrugës dhe po qëndronte nën një pemë.

Po kështu, ata deklaruan se ambulanca ishte bosh. Kjo ngjarje u shoqërua me dedikime prekëse në rrjetet sociale, dhe një prej tyre ishte vetë mësuesja e të voglit nga Lezha, e cila shkruante se mërgimtarit iu pre ëndrra në mes. Ndërsa, kryeministri Edi Rama i ka dhënë 500 mijë lekë të reja ndihmë familjes së 10-vjeçarit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu