Nga Red varaku 
Pas gati një viti beteje të ashpër dhe krize politike, të gjitha bateritë e pushtetit shpërthyen kundër një kontrate të thjeshtë parazgjedhore, e cila në thelb për Opozitën nuk ndryshon asgjë, por është thjesht një akt formal, një kusht themelor i Bundestagut, që adreson disa vërejtje të OSBE/ ODHIR për zgjedhje të parakohshme.

Objektivi politik i sulmit që nisi menjëherë pas fillimit të punës së reformës zgjedhore ishte futja në kaos dhe demoralizimi i Opozitës. Kjo sepse nëpërmjet këtij marifeti dërrmohej opozita dhe futej në një spirale konfuzioni brenda saj.

Gjithashtu harroheshin deri diku përbindêshat që krijoi viti që shkoi , përgjimet, djegja e mandateve, bojkotimi i zgjedhjeve, bllokimi i integrimit dhe nëntë kushtet e Bundestagut.

Ndonëse krejt i paarsyeshëm dhe dukshëm i nxitur nga faktorë të tretë, sepse në rastin konkret nuk është një marrëveshje politike, por kemi të bëjmë me një kontratë parazgjedhore, kusht i padiskutueshëm i Bundestagut, që lidhet drejtpërdrejtë me integrimin e vendit në BE, mbeti thjesht një stuhi në filxhan, pra stuhia nuk arriti t’i kalonte ekranet.

Frymëzues të kësaj ‘indinjate’, u bënë disa monumente mediokriteti, ekspertë gjithëfarësojësh, të cilët nisur nga honoraret dhe urrejtja e tyre patologjike kundër PD, parashikonin hareshëm një disfatë të thellë për PD, madje shkonin deri aty sa shpallnin që ky akt do të sillte edhe shkatërrimin e PD, fakt që i eksiton pa masë jo vetëm sot.

Përpjekja e shëmtuar e Ramës për të përdorur monumentet e mediokritetit në median shqiptare të flasin për dështim të popullit dhe fitore të vrasësve, kriminelëve dhe hajdutëve, është thjesht e neveritshme.

Krejt i organizuar ishte edhe reagimi i një reparti sharlatanësh dhe renegatësh ‘revolucionarë’ , pa asnjë kontribut publik dhe eksperiencë, një shtojcë e shoqërisë civile ,e sponsorizuar nga Rama dhe oligarkët pranë tij, që u ngarkua me detyrën e akuzimit të Opozitës për marrëveshje, kur paradoksalisht vetë ajo disa ditë më parë, në emër të ‘ndryshimit të sistemit’ ishte gati të ulej me produktet më të deformuara të këtij sistemi .

Kjo ishte një betejë e dështuar edhe pse në këtë komedi paratë që paguheshin ishin marramendëse, sepse dihet që impaktin e vërtetë të këtij vendimi do të na e tregojnë vetëm zgjedhjet e lira dhe akush tjetër.

Kuptohet, që të gjithë do të donim që realiteti ynë të ishte ndryshe nga ai që jetojmë çdo ditë, por ja që kjo nuk është në dorën e askujt. Të gjithë do të donim, që pas një radiografie të ashpër të qeverisjes dhe përballë një revolte të tillë popullore ky kryeministër të kishte dhënë menjëherë dorëheqjen dhe t’ia kursente vendit këtë krizë të rëndë . Por, ja që politika nuk është letërsi .

Ajo nuk është as çështje opinionesh dhe as çështje dëshirash. Ajo është çështje vendimesh, madje edhe të dhimbshme në kushte specifike. Shpesh, kur këto vendime janë të tilla ato nuk mund të jenë kurrësesi as tradhti dhe as tërheqje. Kush merret me politikë e ka shumë të qartë këtë.

Nëse këto taktika kanë patur ose jo impakt tek zgjedhësit, kjo absolutisht nuk matet nga studiot e TV-ve, por matet vetëm në zgjedhje. Ndaj, mirëkuptim për shqetësimin e çdo qytetari dhe neveri për monumentet e sharlatanizmit dhe mediokritetit, të cilët qëllimisht flasin për dështim të opozitës dhe fitore të kriminelëve, vrasësve dhe hajdutëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu