Nga Dritan Shano

Një luftë e egër dhe e nxitimtë, po zhvillohet vjedhurazi, paralel me përpjekjen e panatyrshme të qeverive për t’u përballur me COVID-19. Kjo nuk është as thjesht teori, dhe as teori konspiracioniste. Ky është fakt dhe kjo po ndodh në mënyrë të prekshme. Pas çdo konference për shtyp, postimi në Facebook, vendimeve të qeverive, akteve normative, informacionit të munguar dhe të manipuluar.

Kjo luftë është e fshehur tek zhurma dhe pluhuri i ngritur nga paniku, frika e vdekjes, pamundësia e sistemeve shëndetësore për të garantuar jetën, amplifikimi i ndjenjeva të dhimbjes të çuara në skajin më të fundit kur nuk ke mundësi të përcjellësh njeriun tënd në banesën e fundit. Të tentosh të bësh një hap jashtë kësaj zhurme dhe pluhuri shifrash, mediash dhe të tregosh se çfarë je duke parë ndryshe bëhesh armik me shumicën e njerëzve dhe objekt linçimi.

Lufta e egër për të cilën flas është midis shtetit autoritar e paternalist dhe të drejtave të individit, midis shtetit të madh dhe ekonomisë së tregut, midis shtetërores dhe privates.

Shteti i madh, autoritar, paternalist, leninist, i fshehur tek paniku i prodhuar politikisht, po avancon me shpejtësi skëterre, pa hasur asnjë rezistencë të organizuar, brenda 1 muaji, në territore të shenjta të të drejtave të njeriut, të ekonomisë së tregut, të pronës private.

Sot që flasim, pavarësia ekonomike dhe politike e individit nga shteti është në nivelet shumë të ulëta. Në të gjithë botën, me përjashtim të Suedisë?! Vendimet e marra nga qeveritë po bëjnë që individi po zhvishet me shpejtësi nga mundësitë ekonomike, pasuria e tij po avullon me më shumë shpejtësi sesa vepron COVID-19, dhjami i vënë mënjanë po tretet, njërëzit shumë shpejt nuk do të kenë para në xhep.

Pas pak, para do ketë vetëm shteti! Dihet që pavarësia politike nuk ekziston pa pavarësinë ekonomike. Kjo do sjellë acarim social, por edhe varësi totale nga shteti. Varësi ekonomike, politike dhe mendore. Dhe konformizmin totalitar, që ne shqiptarët e njohim mire dhe e riprodhojmë pa menduar.

Të majtët po përdorin lotët, emocionet e forta dhe hutimin botëror të COVID-19 për të avancuar ideologjinë e tyre, të paketuar si nevojë për solidaritet global, dhe masa kombëtare – vendime, dekrete, akte normative – të marra rrokopujë, por për të mirën e përgjithshme. Të majtët po përdorin të vdekurit nga COVID-19 për të dominuar ideologjikisht mbi kapitalizmin. Por dihet që herët a vonë këtyre të majtëve u mbarojnë paratë që u marrin të tjerëve.

Kur zhurma dhe pluhuri i ngritur nga COVID-19 të bjerë, ne të gjithë do fillojmë të shohim se çfarë ka ndodhur, por atëhere ka rrezik që me hir a me pahir të jemi të gjithë marksist-leninist.

Fotografia e Dritan Shano

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu