Nga Enkel Demi

Kam qenë kundër listave të hapura qysh në fillim, jo se isha orakull, por vëreja zgjedhjet e Kosovës dhe produktin e tyre. Por, dashnorët e listave të hapura na rrinin nëpër banaqe televizive dhe na flisnin për demokracitë e brendshme të partive dhe si do të mundnin pushtetin e kryetarëve për ta lënë pushtetin e demokracisë në dorë të popullit.

Sak, këta dashnorë të flaktë sot për vete kanë marrë ca thërrime votash, se njerëzia e tokës së shqipeve ka shije të tjera për garën, të cilat me thënë të drejtën duhen paguar me para në dorë.

Tani ju ftoj t’u hidhni një sy listave të të gjithë partive, pa përjashtim dhe të shikoni se njerëz me të shkuar të dyshmitë, cuba, banditë, të akuzuar për trafik, madje me disa emra kanë mbledhur me mijëra vota. Njerëz politikë me përvojë si Pandi Majko, Mimi Kodheli deri te Ervin Bushati, Sali Berisha në anën tjetër, Aldo Bumçi apo qoftë Vangjel Dule kapërcehen nga disa emra të padëgjuar kurrë për publikun e gjerë, por të njohur në oaze komunitetesh, ose të kamur që të japin paret.

Natyrisht, që do të na tregojnë sa vota kanë marrë Taulant Ballën apo Agron Shehaj, të cilët duket ashiqare se janë investuar shumë tek emri i tyre në listë. Ky është një tjetër defekt i rëndë i këtij sistemi, sepse njerëzit politikë nuk lodhen të shtojnë votat për subjektin e tyre, por përkundrazi përqendrojnë çdo energji  tek emri i tyre, në mënyrë që t’u imponohen drejtuesëve të partisë për qevetrinë e së nesërmes, pra për më shumë pushtet.

Listat e hapura, aq më shumë në një sistem zgjedhor si ky i yni, (jo proporcional kombëtar) bëjnë të mundur që në Shkodër Tom Doshi të rezultojë shumë i votuar, sepse atje është zona e tij influencës.

Shikoni tani dashnorët e listave të hapura që nuk lanë ekran pa dalë. Sa vota kanë marrë? Çikërima. Por, le ta lënë mërinë që mund të kenë ata me popullin e vobektë dhe ata vetë të bëjnë një pyetje: Po sikur listat të ishin 100 % të hapura kush do të ishte në Kuvend? Do shihnim çudira. Ligjvënës do të ishin kryesisht sërish njerëz të panjohur, tejet të dyshmitë. Ata do të qenë të paktën 70 për qind.

Opozita nuk ka si të fitojë ndonjëherë kështu si është bërë ligji zgjedhor, jo Luli të ikë, por dhe Donald Trump të vijë. E vetmja mundësi është të kthehemi të paktën tek marrëveshja e 5 qershorit pa ndryshimet kushtetuese që udhëheqësi bëri në bashkëpunim me të ashtëquajturën “opozitë parlamentare”, brenda së cilës ndodheshin këta dashnorët e listave të hapura që thurnin fjalime historike me 120 fjalë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu