Finalizohet operacioni policor i koduar “Katrori”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Vihet në pranga 37-vjeçari që shpërndante lëndë narkotike heroinë dhe kanabis, në doza.

Sekuestrohen 73 doza heroine, doza kanabisi dhe një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Njoftimi i policise:

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Katrori”.

Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi A.M., 37 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur 73 doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë dhe disa doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një shumë parash të përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe një aparat celular.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.