Partia Demokratike ka kërkuar sot nga Prokuroria nisjen e hetimeve për pagesën 80 mijë dollarë që u përdorën për foton e Edi Ramës me Presidentin e SHBA, Barak Obama.

Në kërkesën drejtuar Prokurorisë, PD ka renditur dhe 9 pyetje të cilave hetimet duhet t’u japin përgjigje.

Pyetjet e PD

1. Ku i gjeti Edi Rama 80 mijë dollarë në një kohë kur, sipas deklarimit të tij të pasurisë, ai nuk zotëron një pasuri të tillë në vitin 2012?
2. A janë këto para të përfituara nga korrupsioni apo janë financim nga një burim i paligjshëm dhe i padeklaruar?
3. Cili është burimi i këtyre parave?
4. Çfarë kanë marrë sponsorizuesit në këmbim të këtyre parave?
5. Çfarë përfitoi në këmbim të këtij veprimi Edi Rama?
6. Pse nuk është deklaruar si shpenzim kjo shumë e konsiderueshme prej 80 mijë dollarë?
7. A është deklaruar ligjërisht disponimi i shumës prej 80 mijë dollar nga shtetasi Edi Rama, në kuadër të detyrimit të tij për deklarimin e pasurisë për vitin 2011, si Kreytar i Bashkisë Tiranë dhe a janë paguar taksat dhe detyrimet e tjera financiare ndaj shtetit shqiptar, për këtë shumë?
8. Si është siguruar shuma prej 80 mijë dollarë nga shtetasi Edi Rama dhe a është ajo ligjërisht e justifikuar?
9. Nëse shuma prej 80 mijë dollarë nuk është deklaruar dhe nuk është ligjërisht e justifikuar, a është kjo shumë produkt i një vepre penale a veprimtarie kriminale të kryer nga shtetasi Edi Rama apo financuesi i tij?.

Sipas PD, nga provat e reja të dala në dritë pas dënimit me burg të shtetasit amerikan që ka paguar në emër të Edi Ramës për foton, PD thotë se Edi Rama ka konsumuar të paktën 3 vepra penale, nga veprimet e tij të kundërligjshme. “Konkretisht, Edi Rama duhet të hetohet për veprat penale:
1. “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar në nenin 245/1 të Kodit Penal;
2. “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal;
3. dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal”,- thuhet në kërkesën e prokurorisë.

PD vë në dukje se Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Tiranës kanë standarde të dyfishta, pasi nuk nisin murrë hetime kryesisht për veprimtarinë kriminale të kryeministrit Edi Rama apo drejtuesve të lartë të qeverisë dhe partisë në pushtet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu