Gripi që pritet të qarkullojë në Shqipëri paralajmërohet se do të jetë agresiv. Mjekët këshillojnë zbatimin e masave që janë përdorur edhe gjatë kulmit të pandemise covid 19, por me shumë rëndësi është edhe vaksinimi ndaj gripit.

Këtë dimër qytetarët shqiptarë do të përballen edhe me gripin e stinës por edhe me Covid 19. Mjeku Pëllumb Pipero thotë se këtë vit qytetarët do të vendosen përballë një gripi agresiv.

Pipero gjithashtu sqaron se pritet të qakullojë varianit AH3N2 i virusit, i cili edhe më parë ka prekur vendin tonë.

“Ka shumë të dhëna për këtë vit që varianti qarkullues i influencës stinore apo i gripit stinor është është një AH3N2, që ka qarkulluar para 3-4 vjetësh në formë të lehtë, por para 12-13 vjetësh ka qarkulluar në një formë më agresive. Ky vit mund të ketë një grip më të ashpër se vitet e tjera,” tha Pipero.

Simptomat janë të ngjashme me ato të Covid-19, ndaj në momentin e parë që ndjejnë lodhje trupi, temperaturë apo edhe kollë, qyetarët duhet të konsultohen me mjekun e familjes.

“Ato shenja e simptoma që janë të ngjashme si për gripin, po ashtu dhe për Covid, siç është temperatura, kolla, dhimbja e gjoksit, rrjedhja e hundëve, dhimbja e muskujve, dobësia trupore etj, kur zgjasin për 2-3 ditë, e mira është të komunikojmë me mjekun e familjes,” tha ai.

Vec masave anticovid që janë efikase edhe kundër gripit, ekspertët keshillojnë vaksinimin ndaj këtij viusi. Moshat më të prekura janë fëmijët 1-6 vjeç, personat mbi 60 vjeç dhe të sëmurët kronikë.

“Ua këshilloj të gjithë prindërve për fëmijët nga 1-6 vjeç, për të gjithë personat mbi 60 vjeç dhe do ta rekomandoja dhe për të gjithë personat me sëmundje kronike,” tha ai.

Në Shqipëri janë evidentuar rastet e para të gripit, por fatmirësisht thonë ekspertët gjendja shëndetësore e tyre është e mirë dhe nuk kanë nevojë për trajtim spitalor.