Bota nuk ka qenë kurrë në një pozicion më të mirë për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19, tha të mërkurën kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke u kërkuar vendeve që të vazhdojnë përpjekjet e tyre kundër virusit që ka vrarë mbi gjashtë milionë njerëz.

“Fundi i pandemisë duket në horizont,” u tha gazetarëve drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus në një konferencë virtuale për shtyp.

Komenti ishte më optimisti nga agjencia e OKB-së që kur e shpalli koronavirusin një emergjencë ndërkombëtare në janar 2020 dhe filloi ta përshkruajë atë si një pandemi në mars 2020.

Virusi, i cili u shfaq në Kinë në fund të vitit 2019, ka vrarë afro 6.5 milionë njerëz dhe ka infektuar 606 milionë, duke tronditur ekonomitë globale dhe sistemet e kujdesit shëndetësor.

Përhapja e vaksinave dhe terapive ka ndihmuar në frenimin e ashpërsisë së sëmundjes. Vdekjet nga COVID-19 javën e kaluar ishin më të ulëtat që nga marsi 2020, raportoi OBSH.

Tedros Adhanom Ghebreyesus u bëri thirrje vendeve që të vaksinojnë 100 për qind të grupeve të tyre me rrezik të lartë dhe të vazhdojnë testimin për virusin.

OBSH paralajmëroi për mundësinë e valëve të ardhshme të virusit dhe tha se vendet duhet të mbajnë furnizime adekuate të pajisjeve mjekësore dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu