Në takimin e zhvilluar sot në KQZ mes komisionerit Ilirjan Celibashi dhe përfaqësuesve të partive politike, nuk është gjetur gjuha e përbashkët sa i përket projektit pilot për votimin dhe numërimin elektronik.

Burime bëjnë me dije se Partia Socialiste ka reduktuar propozimin fillestar për votimin dhe numërimin elektronik në dy qarqe njëkohësisht.

Mësohet se përfaqësuesi i PS-së ka kërkuar që votimi dhe numërimi elektronik të realizohet vetëm në një KZAZ dhe kjo të zgjidhet nga KQZ në një prej dy qarqeve të propozuara. Burime nga mbledhja thanë se reduktimi i propozimit të përfaqësuesit të PS-së u bë për shkak se ky proces ka kosto të lartë, koha është e pamjaftueshme dhe se nuk e detyron ligji që të bëhet në dy qarqe, pasi është vetëm projekt pilot.

Propozimet e PS u bënë gjatë mbledhjes që përfaqësuesit e partive politike zhvilluan me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirajn Celibashi pa praninë e mediave.

Ndërkohë, po të njëjtat burime thanë se PS propozon që votimi i emigrantëve të bëhet me postë.

Sakaq nga përfaqësuesi i PD në këtë mbledhje nuk është bërë asnjë propozim i ri sa i përket votimit dhe numërimit elektronik, por i qëndron propozimit fillestar për dy qarqe, Korçën dhe Fierin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu