Analisti Fatos Lubonja, në një analizë të gjatë akuzon kryeministrin Edi Rama se hipokrit, që po bën “arkivolin në mort”.

Lubonja e nis me dyshimet për çështjen e dridhjes së dorës dhe më pas komenton historinë e përfolur në media të lidhjes së djalit me një prej viktimave të tërmetit të 26 nëntorit.

“Ka një shprehje frënge për narcizistët si Rama që thotë: “Ata duan të jenë në rolin e nuses në dasmë dhe të arkivolit në mort”. Ne rastin e tërmetit, aktori në fjalë po arrin kulmin e karrierës së tij, sepse, më herët, e kemi parë në rolin e nuses në dasmë, kurse me tërmetin po e shohim edhe në rolin e arkivolit në mort, madje duke arritur një sintezë tragjikomike të dasmës me mortin. Të tilla janë shfaqjet që po jep nëpër zonat e tërmetit, i ndjekur hap pas hapi nga kamerat e ERTV, ku herë bën gallatë me fëmijët e traumatizuar nga vdekja e prindërve e humbjet e shtëpive, herë u jep urdhër qenve dhe servilëve që të heshtin në hallin e madh që e ka gjetur popullin; ku edhe transmeton non stop aktivitetin e tij (edhe kur pi kafen në zyrë), edhe i urdhëron të zotët e shtëpive që viziton që të mbyllin televizorin se sipas tij është si të kesh shejtanin në shtëpi; ku një ditë e shohim t’i dridhet dora në një formë që të bën të mendosh se vuan nga një parkinson i avancuar, e ditën tjetër e shohim të ngrejë me një dorë në ajër, gjithë gaz, një foshnje dhe ta rrotullojë para kamerave si aeroplan (ndërkohë që ai i shkreti rrinte si i ngrirë), duke na bërë të mendojmë se dridhja e dorës ishte një lojë teatrale për të ngjallur ndjenja përdëllimi te shqiptarët”.

“…Në vazhdën e këtyre hipokrizive e pamë para disa ditësh të luajë rolin e arkivolit në mort në emisionin e Bruno Vespës “Porta a Porta”. Me një pamje të pikëlluar, i veshur me kostum dhe kravatë të zezë, kërkoi t’i bënte italianët të mendonin se çfarë djali inteligjent e me shpirt të ndjeshëm u ka rënë për hise si Kryeministër shqiptarëve, si dhe që të derdhnin ndihma në numrin e llogarisë bankare që ka hapur qeveria. Ato 15-20 minuta intervistë, ishin një shfaqje aktoriale gënjeshtrash manipulative.

 

Lajmi i shpërndarë në rrjet prej të birit, ku thoshte se edhe një e afërmja e tij kishte vdekur, i amplifikuar nga makina e propagandës në lajmin e vdekjes së një njeriu të shtrenjtë të familjes kryeministrore: të dashurës apo të fejuarës së të birit, kishte arritur edhe në veshët e Vespës, i cili, me një pamje ngushëlluese, e filloi intervistën me këtë lajm. Kryeministri e kaloi ngushëllimin duke kaluar te pikëllimi i tij për të gjithë shqiptarët. Ndoshta i erdhi zor nga i biri, i cili nuk e ka quajtur “të dashur” apo “të fejuar”, por “të afërme” dhe këtë e ka bërë o për të ruajtur diskrecionin, o pse nuk e ka pasur të dashur, aq më pak të fejuar, dhe, në fakt, nuk kemi parë asnjë fotografi të të birit me këtë vajzë, aq më pak me vjehrrin e mundshëm. Por kur do të bësh arkivolin në mort, e vërteta apo diskrecioni nuk kanë pikë rëndësie. Aq më pak kur një sendërgji e tillë të çliron nga përgjegjësia e vdekjes së të ndjerës e 50 të tjerëve, sepse në këtë rast distancohesh nga vrasësit dhe bashkohesh me viktimat”.

Duke e quajtur sërish hipokrit, Lubonja e mbyll me një shprehje shkrimin e tij.

“Unë po e mbyll me një thënie popullore: “Hipokriti bën keq punët e mira dhe bën mirë punët e këqija”.”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu