Nga Kim Mehmeti

Nuk është gjithaq me rëndësi zënka mes burrështetasve shqiptarë dhe çka, për shembull, u thotë Kryeministrit i Shqipërisë opozitarëve dhe Presidentit të vendit, siç nuk janë të rëndësishme as talljet e tij thuajse me mbarë shqiptarinë.

Nuk kanë rëndësi as thëniet e opozitarëve drejtuar Kryeministrit të shtetit amë, thuajse komunikojnë me një rrugaç të pandreqshëm! E rëndësishme është heshtja e turpshme, poshtëruese dhe trishtuese e alamet akademikëve, krijuesve, profesorëve…, heshtja që e ndihmoi fuqizimin e hajdutëve dhe kriminelëve politikë, e të cilët e morën në duar fatin e shqiptarisë!

Pra e rëndësishme është heshtja që shpalos kalbëzimin e vlerave tona, kalbëzim që shton plehun politik! Dhe nëpër ‘Shqipërinë’ tona mbisundon heshtja sepse ne nuk guxojmë të flasim për partizimin që shkatërroi çdo gjë shqiptare, sepse ne jemi prindërit që fëmijëve tanë u ndërtuam shoqëri ku një dele kushton qindra euro, e një votues vetëm dhjetëra, ku deputeti shitet e blihet për miliona euro, e votuesit e tij për një thes me miell.

Dhe në shoqëritë e tillë flitet për ‘destruktivitetin` e feve, por jo për ‘talibanët’ tanë partiak që e varfëruan popullin, që e detyruan rinin tonë të degdiset nëpër botë, ku në numër të madh ajo rini deshqiptarizohet e kriminalizohet.

Po pra, ne heshtim sepse kemi frik ta themi të vërteton se radikalizmi dhe banditizmi partiak janë ato që ‘Shqipërinë’ tona i bënë ‘xhungla’, ku nuk ia vlen të jesh as i mençur e as i ndershëm, ngaqë fatin ta përcaktojnë qeveritarë e burrështetas që e dinë se, kur e ke mik dhe këshilltar cubin e fshatit, nuk ke pse druan nga të ndershmit dhe mendimtarët e katundit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu