Pas ngjarjes tragjike të ndodhur në plazhin e Potamit, ka reaguar menjëherë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Ai ka vendosur të përjashtojë nga radhët e policisë, drejtuesin e gomones që përplasi për vdekje fëmijën 7 vjeç, Arjan Tase, i cili ka drejtuar më parë komisariatin e Himarës ndërsa aktualisht mbante postin e shefit të policimit në Komunitet në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan.

Gjithashtu është pezulluar nga detyra kreu i Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj, ndërsa Nano ka dhënë urdhër për angazhim maksimal të të gjithë forcave të policisë për mbarëvajtjen e sigurisë në plazhet përgjatë vijës bregdetare të vendit.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Avdia, për humbjen e jetës së vajzës së tyre 7-vjeçare, e cila u godit nga një mjet lundrues. Për Policinë e Shtetit keqardhja dhe përgjegjësia për këtë ngjarje është e dyfishtë, përveç se në nivel institucional, ashtu edhe në atë njerëzor, si prindër, si familjarë dhe si bashkëqytetarë të këtij vendi.

Ndërkohë, Nano ka përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit oficerin e Policisë Komisar Arjan Tase, me detyrë Shef Seksioni i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Elbasan, i cili është arrestuar menjëherë pasi ka ndodhur ngjarja.

Oficeri i Policisë ndodhej me pushime në Himarë dhe duke drejtuar një mjet lundrues skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur vajzën 7-vjeçare të familjes Avdia, e cila për shkak të plagëve të marra ndërroi jetë në vendngjarje.

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka pezulluar nga detyra, deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, Drejtorin e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Kryekomisar Shpëtim Hasanaliaj.

Njëkohësisht, Drejtor Nano ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin për Rendin dhe Sigurinë Publike, për ngritjen e një grupi të posaçëm, për të verifikuar zbatimin e porosive të dhëna së fundi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për shtimin e masave të sigurisë në zonat bregdetare.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shpreh mbështetje dhe inkurajon grupin hetimor të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i cili nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njofton policia.