Burime të afërta me familjen, deklaruan sot se ish-kryeministri Fatos Nano është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po merr trajtimin mjekësor.

Dyshohet se 69-vjeçari vuan nga ceroza në mëlçi, sëmundje që lidhet me konsumimin e tepruar të alkoolit, shkruan gazeta ‘Shekulli’.

Ish-kryeministri Fatos Nano ishte raportuar në gjendje jo të mirë shëndetësore edhe një vit më parë.

Më 28 maj 2021 ai u paraqit në një spital në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa në pamjet e publikuara Nano shihej të dilte nga makina e tij, i shoqëruar nga bashkëshortja Xhoana Nano.

Në pamundësi për të ecur në këmbë, Nano, që mbante edhe një maskë mbrojtëse ndaj COVID, u mor me një karrocë me rrota për t’u futur në spital.

Tre ditë më pas, ai u pa në Rinas, ku priste të nisej jashtë vendit, ndërsa rojet e tij ndaluan kamerat e pranishme të merrnin pamje të ish-kryeministrit që kishte vështirësi në lëvizje.

Në të gjitha rastet kur është përfolur për gjendje të rëndë shëndetësore, Nano i ka përgënjeshtruar, duke u shprehur se ishte ‘si kokrra e mollës’ dhe duke fajësuar mediat për spekulime.