Kthjellimet dominojnë motin në territorin shqiptar deri në mesditë kur priten vranësira të shpeshta nëpër të gjithë vendin duke sjellë rrebeshe shiu, më të theksuara në zonat malore verilindore dhe juglindore.

Sipas MeteoAlb, nuk përjashtohet mundësia e breshërit në zona të izoluara. Po ashtu, edhe pasditja vijon me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të dendura në të gjithë territorin e vendit.

Temperaturat e ajrit do të ulen si në mëngjes po ashtu edhe në mesditë  duke luhatur vlerat ditore nga 10°C deri në 30°C.

Era do fryjë mesatare deri e fortë me shpejtësi 50 km/h nga drejtimi Jugperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 3 – 4  ballë.