Nga Ndriçim Mehmeti

Demokratë, apolitikë, LSI-sta, pa parti, me parti, të majtë e të djathtë, mos kërkoni demokraci. Unë mendoj se tani më shumë se kurrë nuk ju duhet më dhe nuk ka përse t’ju duhet në të ardhmen. Madje as votime (se zgjedhje ka kohë që nuk marrim pjesë), nuk duhet të ketë më. Nuk kanë se çfarë na duhen. Na u deshën jo shumë, por 30 vite të rigjejmë udhëheqësin legjendar, të pagabueshmin, liderin e pamat në gjatësi, gjerësi, thellësi, në kohë e hapësirë. Ne nuk do të ishim gjë pa të, ndërsa atë e ka zënë kokrra e belasë me ne.

Prandaj unë mendoj të themi shyqyr që jemi gjallë se demokracia na la shëndenë

Gdhihemi e erremi e shohim me sytë tona mrekullitë përreth. Sheshi “Skënderbej”, i mbushur plot me pensionist e pensioniste mbi 70 vjeç, që presin me gëzim të madh që të bëjnë vaksinën. Plakat me thinja të bardha të cilat sapo kanë bërë vaksinën, vrapojnë drejt kamerës, e me ngazëllim rrëfehen: “Shyqyr që kemi këtë kryeministër që na shëroj dhe pa bërë vaksinën. Mjafton që na ngriti dorën e tij të shenjtë e na përshëndeti, tek rrinim e prisnim nën rrezet përvëluese të diellit”.

Bujqit në fshat janë akoma më të lumtur. Kishin 4 vite që prisnim atë të flamosur naftë me çmim të ulët por më në fund 1 ditë përpara votimeve të 25 prillit, tringëlliu zilja: “Alo Myftar, ti je. Thuaj Zeqos, Halos, Luftarit dhe Mahmutit, që me fis e me farë, të gdhijnë në zurat e shoqatës së bujqësisë se kanë për të marrë tallona falas nga Hyqymeti. Në fund pasi të mbaroni punë, prisni të vijnë televizionet e me radhë falënderoni për gjithçka shokun Edi”.

Infermieret u lumturuan aq shumë, saqë bën me mundin, djersën, intelektin e tyre, disa ditë pa gjumë që të endnin në avlëmend një triko e një palë çorape, për Komandantin, për dimrin tjetër, se helbete, një vit më i madh e i ftohen këmbët, ngaqë e ka zakon që rri xathur sepse e ka mendjen tek hallet e popullit.

Mësuesit plot kënaqësi, do të ngrihen si një trup o i vetëm e ti falin rrogën që jua rriti, paçka se ka disa grindavecë e bukëshkelur që thonë se medemek, Komandanti ua menderosi pagën dhe ua uli sërish. Gjithë kontrollorët e aviacionit, që marrin para me thasë e jo me torbe, do të krijojnë një fond të veçantë të menaxhuar nga shoqja Balluku, për të kontribuar në realizmin e veprave të shquara artistike të Komandantit, për t’i çuar më pas në sallonet më të bukura të Evropit, që të marrë vesh gjithë dynjaja, se me çfarë artisti ka të bëjë e nuk ja dinë kimetin.

Fshatarët që kanë toka e që janë majmur kot më kot, do të ftohen të japin gjysmën e pasurisë, për të ndërtuar e rrjepur fondet që do të na vijnë për tërmetin. Nëse ka ndonjë që kundërshton, ta pyesë bythën mirë, se me të madhin nuk bëhet hajgare. Do ia japë pa një pa dy, përndryshe, në tokën e tij, do të kalojë plani i hekurudhës më të re të Dubait dhe ia fshin të gjitha sinorët Komandanti, me një të rënë të lapsit.

Mos harroni asnjëherë: Bëni dua për shëndetin dhe që ende nuk ju kanë marrë shtëpinë

Ndonjë nga ju do të thotë: “E pse e tepron kaq shumë o njeri. Ç‘punë ka i madhi me shtëpitë tona”. Ka or mik si s’ka. Do të vijnë vëllezërit tanë nga Pakistani, Xhibuti dhe Bangladeshi, për të dhënë eksperiencën e tyre të vyer, si muratorë, kuzhinierë, ekskavatorist, ndihmës-kontrollor i trafikut ajror e me radhë. Ku ti strehojmë që ta shijojnë më mirë qytetin? Pastaj e keni harruar bujarinë shqiptare, sipas shprehjes: “Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Komandantit”, të tjerët mbeten pronar në letër. Kështu që nuk është keq të gëzojmë shëndenë në radhë të parë, e të themi shyqyr që kemi këtë copë shtëpi.

A kemi miell në magje, vaj e kripë. Ani nuk ka problem o mik. Për këtë mendojnë patronazhistët tanë, që nuk do të na lënë të mbetemi ashtu jetim. Do të furnizojnë dyqanin e lagjes me blloqe e fletore me të trasha, që secili të ketë qitapin e tij të borxheve për ushqim. Mos e vrisni mendjen fare për gjë tjetër, zgjedhje të lira, demokraci, arsim, shëndetësi, mirëqenia ekonomike, janë fjalë që i ka shpikur borgjezia perëndimore për të na trullosur e të mos shohim të mirën që kemi tek dera.

Mos u merrni o vëllezër me shoqëritë që janë në rënie, në varfëri, (si p.sh në Gjermani) që nuk dinë as të vaksinojnë popullin, as të ushqejnë qeveritarët e të pasurit me qumësht dallëndyshe, e as të punojnë sa ne të varfrit që na bie kurrizi, prej mëngjesit e deri në darkë, për një kothere bukë me pak gjizë e qepë.

Prandaj njerëz, kjo është thirrja e fundit: Rrini rehat në shtëpitë tuaja. Bëni dua që jeni gjallë. Mos shikoni televizione, lexoni gazeta, a njerëz që flasin kot më kot. Të gjithë duan t’ju helmojnë, se gjoja na mungon demokracia, po na marrin të drejta e liritë tona, po rritet nafta, e po shtrenjtohet uji. Jo! Janë të gjitha gënjeshtar të pacipa. Jemi të lumtur sa nuk ka më, kemi një qeveri që na i ka zili, Evropa, Azia, Amerika dhe një pjesë e shkretëtirës subsahariane. Kemi shtëpi, na mbaruan vaksinat, kemi ujë 4 orë më ditë, nuk kemi drita me raste, dhe as mundësi ku të luajnë fëmijët në lagje. Po përse na duhen xhanëm, kur kemi shëndenë e numrin në vend, siç thoshin të parët. Ndaj ju them: Ngrihuni çdo mëngjes, shtriquni e hidhni një ujë syve dhe pastaj ende pa ngrënë bukë me çaj e djathë, bëni duan e veçantë për Komandantin dhe xhinsin e tij kudo që janë.

Aferim o i madhërishëm Komandant, që nuk na le asnjë rast të mendojmë për veten, por të lutemi të të kemi me jetë, se na je bërë nënë e babë, të kemi në çdo kënd e rrëzë të shtëpisë, përfshi edhe krevatin ku flemë, se në ëndërr na del veç ti. Hë si thoni tani ju bën më punë demokracia, liria, dinjiteti, humanizmi dhe prosperiteti?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu