Lajmi se Franca do të shtyjë hapjen e negociatave për Shqipërinë në një datë të pacaktuar të vitit të ardhshëm, e kapi Elisën duke ngrënë një sallatë dietike në zyrën e saj. Çfarë të bënte? Lideri global gjendej në Novi Sad dhe ajo ishte duke e admiruar, me pirun në dorë, teksa ai fliste në krah të Vuçiçit për Shengenin Ballkanik.

Ora e historisë e kishte sjellë të ishte ajo që duhej të merrte vendimin në këmbë të liderit. Dhe duhej të vepronte sa më parë. Duke parë suksesin mbarëbotëror të letrës që 8 gratë e qeverisë i dërguan Hollandës, Elisa la pirunin dhe mori lapsin. Meqë atij Macronit nuk po i mbushej mendja t’i hapte krahun liderit, ajo vendosi, në emër edhe të 7 ministrive të tjera (të cilat edhe letrën e parë që e kish qëndisur me dorën e tij vetë lideri nuk e kishin lexuar) që t’i shkruante Brigittes, zonjës së parë të Francës.

“E dashur Brigitte!

Unë jam Elisa, por me siguri ke dëgjuar për mua. Bashkëshorti juaj duhet t’iu ketë folur për rastin e rrallë të një femre në një qoshe të vogël të Ballkanit, e cila me forcat e saj ia ka dalë të fitojë vlerësimin e një burri si Edi Rama. Dhe po kështu si unë ia kanë dalë edhe këto 7 gra të tjera, sidomos Etilda që shquhet për hiret e saj, Egla që i ka ndenjur fare pranë në paradhomë, madje edhe Besa që sillet si dhi e egër, pra ne të teta, që sot po nënshkruajnë këtë letër si përfaqësueset më të denja të qeverisë shqiptare.

Por e dashur Brigitte, këtu nuk është rasti të flasim për veten tonë. Ne të gjitha kemi një shqetësim të madh. Bashkëshortit tuaj ende nuk po i mbushet mendja që këtij tonit duhet t’i hapen negociatat. Ai i ka harruar atletet adidas që kryeministri ynë i hoqi nga këmbët e tij të mëdhaja, për t’ia dhuruar atij. Ka harruar edhe marshimin me tre lapsa në xhep gjatë përkujtimores së Charlie Hebdo. Ka harruar që lideri ynë është katolik nga gjyshja dhe ortodoks nga gjyshi. Ka harruar edhe barsoletat e tij që dikur bënin të qeshte atë tekanjozen gjermane.

Lideri ynë është tepër i ngarkuar këto kohë. Veç halleve që ka këtu, ai duhet të rregullojë edhe punët e Ballkanit dhe ka marrë rrugën natën për t’u marrë me serbët e maqedonët që janë vite dritë larg vizioneve të tij.

Ne po ju shkruajmë ju me shpresën që në orët e fundit bashkëshorti juaj të ndryshojë mendim. E njohim fuqinë tuaj dhe fakti që jeni 24 vjet më e madhe se presidenti na bën të besojmë se ai nuk ua kthen dot fjalën. Ju lutemi ushtrojeni autoritetin tuaj që presidenti mos të na e lëndojë liderin tonë, i cili siç mund ta keni dëgjuar ka një dobësi të madhe ndaj fuqisë femërore. E shikoni se sa shumë jemi ne që na ka mbledhur në qeverinë e tij (Madje aq shumë sa as nuk zihemi dot më, as nuk behemi dot xheloze për njëra tjetrën)? Jo rastësisht. Ai ka përvoja personale dhe profesionale se përkujdesja e veçantë e seksit tonë është e vetmja mënyrë për t’ia lehtësuar barrën e rëndë dhe stresin e madh që liderë si puna e kryeministrit tonë dhe bashkëshortit tuaj, përjetojnë në këto kohë të vështira.

Prandaj e dashur Brigitte, kthejani mendjen presidentit në mbrëmje kur vjen i lodhur dhe ulet me kokën në prehrin tuaj. Ai është momenti kur dora femërore mund të bëjë mrekullira. Hapjani negociatat Shqipërisë dhe ne gratë e Edi Ramës do t’iu jemi përjetësisht mirënjohëse. Lehtësimi i liderit tonë në këtë mision historik do të jetë një frymëmarrje e madhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Për ju kjo është një përpjekje fare e vogël, për ne është vetë jeta të shohim të qeshur e të lumtur liderin tonë. Ju premtojmë që jemi të gatshme t’i shkruajmë edhe presidentin Trump që të shkrijë akujt me bashkëshortin tuaj dhe (besoj keni dëgjuar për aftësitë tona oratorike) të telendisim Marine Le Penin kurdo që t’iu nevojitet mbështetja jonë.

Fati ynë është në duart tuaja.

Duke besuar në ndihmën tuaj të paçmuar, ju lutemi pranoni përqafimet e mija personalsisht dhe të këtyre 7 të tjerave, që kanë vënë firmat në letër.

P.S. Letrën e kam shkruar unë sepse kam besimin e plotë të liderit. Këto të tjerat kanë ardhur shumë më vonë se unë pranë tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu