Mjeku infeksionist, Tritan Kalo u shpreh në deklaratën me ministren e shëndetësisë Ogerta Manastirliu, se qytetarët duhet të heqin dorë nga vetëdiagnostikimi dhe nga vetëmjekimi i Covid 19. Sipas Kalos skaneri që po përdoret si një mjet diagnostikimi duhet të jetë i fundit që duhet të përdoret, pasi dëmtimet pulmonare jo gjithnjë tregojnë se ka prekje nga Covid.

Kalo apeloi që të bëhet kujdes me përdorimin e antiviralëve dhe antibiotikëve, pasi sipas tij kjo do të ketë pasoja afatmesme dhe afatgjata për të gjithë popullatën. Sipas Kalos në momentet që flasin qarkullojnë deri në 150 infeksione të tjera përveç Covid sars.

“Për të diagnostikuar një person si të prekur apo jo nga virusi duhet të kalohet në disa elementë që janë shumë të rëndësishëm si; Elementi epidemiologjik , nëse ke pasur kontakte me persona të tjerë që kanë rezultuar pozitiv:

Punon në mjedise që e rrezikojnë për të infektuar; Në elementët klinikë (shenjat e sëmundjes, në rast se ka të tillë); Në elementët biologjikë; Dhe së fundi është skanimi imazherik;

Ka shumë që e fillojnë nga e fundit, thonë bëmë një skaner dhe jam me Covid, ajo çka është e rëndësishme dhe mbetet në dorën e mjekëve të familjes është trajtimi i këtyre rasteve, pasi i njeh më mirë se kushdo tjetër historinë e pacientëve dhe sëmundjet e tjera që ata mund të kenë.

Së pari antiviralët janë përgatesa që këshillohen vetëm për përdorim spitalor, dhe i vetmi që është lejuar deri tani është redvemsivir, mjekët nuk duhet të bjenë pre e presionit për ti përshkruar këto preparate për pacientët e tyre, dhe pacientët vetë nuk duhet ti marrin pa rekomandimin e mjekut përkatës.

Antibiotikët nuk këshillohen në ditët e para, ka një ngutje që të sëmurët ti fillojnë këto që në ditët e para, dhe përdoren skema mjekimi që janë jashtë logjikës mjekësore. Përdorimi i pavend i antibiotikëve, do të sjellë pasoja afatmesme dhe afatgjata. Antibiotikët janë të pakët, dhe nëse keqpërdoren do të na e bëjnë të pamundur trajtimin e infeksioneve të ndryshme. Pra kujdes, është stina ku në skenë nuk ka vetëm sars cov, janë në qarkullim dhe infeksione të tjera, që mund të shkopjnë deri në 150, që manifestojnë elementë të ngjashëm me sars covid, por që nuk ka nevojë për trajtim mjekësor.

Pandemitë mund të zgjasin nga 14 në 26 muaj, dhe duhet pasur shumë kujdes në të gjithë elementët”, u shpreh Kalo.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu